Cilësia e shkollës, Veliaj takon mësuesit: Duhen 200 shkolla e 100 kopshte

16/05/2015 00:00

“Kohë bilancesh për të kuptuar çfarë nevojash kemi”. Kështu e ka konsideruar këtë periudhë të fushatës së konsultimit me publikun kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një takimi me mësuesit.

Sipas Veliajt, shkollat dhe kopshtet në kryeqytet janë të mbipopulluara. “Për tramin nuk flet njeri në tavolinën e bukës. Muhabetet në tavolinën e bukës janë në cilën çerdhe do të çojmë fëmijët, në cilin kopësht, në cilën shkollë? Situata në Tiranë është e tillë që në një shkollë kemi trefishin e nxënësve të një shkolle mesatare në Shqipëri. Në një kopsht të Tiranës kemi 5-fishin e mesatares së një kopshti në Shqipëri. Edhe në një pulari ka më shumë hapësirë”, tha Veliaj.

Tashmë bashkia nuk do të përgjigjet vetëm për shkollat e qytetit, por edhe ato të fshatrave dhe Veliaj shikon si zgjidhje uljen e pabarazësië përsa i përket numrit të nxënësve, por mbi të gjitha si zgjidhje shihet investimi për ndërtimin e godinave të reja.

“Sfida më e madhe që kemi është si të zhdukim pabarazinë mes periferisë së Tiranës dhe qendrës. Gjithmonë do të ketë shkolla elitare apo një kopësht më të mirë, por një pabarazi kaq e thellë nuk mund të ekzistojë. Ndaj, plani ynë është që në 4 vitet e para ne t’u ofrojmë banorëve 100 kopshte dhe 200 shkolla. Vetëm kështu përballohet fluksi i banorëve të Tiranës”, tha Veliaj.

Top Channel