Halim Kosova, me shtresat në nevojë: Jeni në kushte emergjente

16/05/2015 00:00

Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ka bashkëbiseduar mëngjesin e së shtunës me njerëz të shtresave në nevojë. Ai tha se kushtet në të cilat ndodhet sot kjo shtresë janë emergjente.

“Kur sheh një njeri në kushtet e kufizimit të jetës së përditshme, pa dyshim që do t’i afrohesh e do ta pyesësh. Por do të doja që në mënyrë të organizuar të mbanim shënimet përkatëse dhe të ofrojmë zgjidhje reale për atë që mund të bëjmë tani dhe në perspektivë të afërt”, tha z. Kosova.

Ai shtoi se do të gjejë një rrugë të përshtatshme që qytetarët të hyjnë në derën e bashkisë. “Dera e bashkisë do të jetë e hapur. Puna e parë që më shkon mendja është: po si do futen në bashki? Se unë nuk kam parë për momentin ndonjë rrugë të përshtatshme. Shumë shpejt do të kemi zgjidhje origjinale”, vijoi z. Kosova.

Ai përmendi menaxhimin e punës së institucionit që ka drejtuar për disa vite, maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, duke u shprehur se do të ndjekë të njëjtin parim edhe në drejtimin e bashkisë.

Top Channel