Rindërtohet pas 20 vjetësh shkolla e mesme në Divjakë

16/05/2015 00:00

Gjimnazi i Divjakës është rikonstruktuar tërësisht nga e para. Këtë të shtunë nxënësit kanë zhvilluar mësimin në ambiente tërësisht të rindërtuara.

Gjithë baza materiale dhe akomoduese është prodhim i vitit 2015. Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, deklaroi se për këtë gjimnaz qeveria shqiptare ka edhe një projekt tjetër; ndërtimin e tri fushave të mëdha sportive dhe të një palestre për shkollën.

Sipas tij, ky projekt ka nisur dhe në muajin shtator do të përfundojë. “Këto ndërtime do t’u shërbejnë jo vetëm nxënësve të gjimnazit, por të gjithë rinisë së Divjakës”, tha Kokoneshi.

Gjimnazi ka rreth 500 nxënës dhe 18 ambjente mësimore. Kthimi i tyre në qendër komunitare do të pasohet nga të tjera projekte të ngjashme në të gjitha shkollat e tjera të Bashkisë së Divjakës, pas ndarjes së re territoriale.

Top Channel