ASHE prezanton kandidaten në Pogradec, Rama: Të djathtët kanë qëllim bllokimin e punës

16/05/2015 00:00

Krerët e aleancës së majtë kanë prezantuar këtë të shtunë, në Pogradec, kandidaten e Aleancës për Shqipërinë Europiane për këtë qytet, Diana Mile.

E propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Mile është kandidatja e parë grua që propozohet ndonjëherë për postin e kryebashkiakes në qytetin juglindor.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përpiqet të ndjellë pakënaqësi mes njerëzve, me qëllim ndryshimin e pushteteve.

Sipas tij, PD nuk është e interesuar të punojë për komunitetin, por vetëm për të sajuar konflikte artificiale me qeverinë qendrore.

“PD do që të nxisë pakënaqësi dhe duke krijuar një situatë konfliktuale të gënjejë sa më shumë njerëz. Do që nëpër bashki të vendosë njerëz që nuk bëjnë punë, por që thonë se qeveria është e poshtër, se po i varfëron njerëzit, se po i shkatërron ata. Por qeverinë le ta provojnë pas dy vjetësh”, ka thënë Rama.

Ndërsa kandidatja Diana Mile, ofron sipas shefit të qeverisë, të kundërtën e gjithë kësaj. “Kandidatja jonë i garanton qytetit më tepër cilësi në rrugë, në mjedis e në bashkëjetesë. Projekti ynë i Rilindjes Urbane është një program i tërë për të rilindur besimin në çdo komunitet”, ka shtuar Rama.

Ai ka premtuar se pushteti vendor i majtë do të realizojë një seri investimesh në Pogradec, që do t’i rikthejnë qytetit fytyrën e humbur të tij.

Një tjetër arritje, sipas kreut të PS-së, është përfaqësimi i barabartë gjinor, që në këshillat bashkiakë do të jetë 50 për qind me 50. Në të njëjtat linja është shprehur edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta sa i takon qasjes së opozitës në këto zgjedhje.

“PD të jetë e sinqertë në kërkesën për votë që u bën qytetarëve, sepse nuk i kërkon ato për t’u sjellë shërbim apo punësim, por thjesht për të thelluar një konflikt artificial me qeverinë, për të ngjallur pakënaqësi tek populli shqiptar. Sepse ata nuk kanë asnjë program dhe vetëm shajnë. Jam i bindur se kandidatia jonë Diana Mile do të vazhdojë rrugën e nisur nga aleanca jonë”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit ka shtuar se, së shpejti do të nisë ndërtimi i aksit Qukës-Qafë Plloçë, që sipas tij, do t’i japë zhvillim ekonomik gjithë rrethit të Pogradecit.

Top Channel