Tiranë, granatë poshtë automjetit; policia neutralizon rrezikun

16/05/2015 00:00

Një atentat me eksploziv është shmangur paraditen e kësaj të shtune në Tiranë, tek zona e ish-Fushës së Aviacionit. Forcat e policisë kanë arritur të neutralizojnë një granatë që ishte vendosur poshtë një automjeti të parkuar.

Mësohet se ka qenë pronari i automjetit, shtetasi Agim Ahmataj që, pasi ka parë objektin e dyshimtë, njoftoi sallën operative të policisë së kryeqytetit.

Në vendin e ngjarjes, uniformat blu kanë konstatuar se bëhej fjalë për një granatë të vendosur tek disku i automjetit tip “Benz”, me targë “AA 307 CB”, granatë që e kanë neutralizuar.

Pritet që në orët në vijim të merret në pyetje pronari i automjetit, shtetasi Agim Ahmataj, për të hedhur dritë mbi motivet e vendosjes së objektit shpërthyes.

Top Channel