Bushati: Basha nuk mbajti premtimin, Lana u katandis në një ambient të pisët publik

16/05/2015 00:00

Partia Socialiste akuzon kreun bashkiak të Tiranës, Lulzim Basha, se ka lënë pas dore pastrimin e qytetit.

Deputeti i PS-së, Ervin Bushati, në një prononcim për mediat tha se Basha nuk realizoi premtimin e një qyteti të pastër dhe se ujërat e zeza nuk do të derdheshin më në lumin e Lanës.

“Premtoi se Tirana do të ishte ndër qytetet më të pastra në Europë dhe ujërat e zeza do të përpunoheshin e nuk do të derdheshin në ujin e Lanës. Në katër vjet nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim; as projekt, as projekt-ide dhe as studime dhe jo të mendosh për investime. Jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin e lumit të Tiranës, po ka lënë dhe Lanën të katandiset në ambient të pisët publik, që bën me turp jo vetëm qytetarët e Tiranës, por çdo shqiptar në sytë e Europës. Qytetarët nuk presin më zgjidhje nga Lulzim Basha dhe tani e kanë të qartë që ai nuk mund të japë as zgjidhje, as ide e as vizion”, deklaroi Bushati.

Ai shtoi se zgjidhja e këtyre problemeve do të vijë pas 21 Qershorit, kur “Tirana do të shkojë në drejtimin e duhur”.

Top Channel