PD: Veliaj i mashtroi personat me aftësi të kufizuara

16/05/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kandidatin e majtë për Tiranën, Erjon Veliaj se vazhdon me mashtrimet e tij.

Duke iu referuar premtimeve të Veliaj për personat me aftësi të kufizuara, PD ka deklaruar se ish-ministri i Mirëqënies Sociale u ka mohuar të drejtën e pagesës mbi 5 mijë personave nga kjo kategori.

“Sot jemi këtu për të demaskuar mashtrimet e Erionit. Në vetëm një vit, në 2014-n, plot 5153 personave me aftësi të kufizuar, Erioni u ka mohuar të drejtën e pagesës së invaliditetit dhe më shumë se gjysma e tyre ishin përfitues të mbi 10 viteve në këtë skemë. Vetëm në Tiranë, Erioni ka larguar nga skema e invaliditetit mbi 520 përfitues dhe më shumë se gjysma e tyre e gëzonin pagesën e invaliditetit prej më shumë se 10 viteve. Ngjashëm, ai premtoi në 2013-n se legalizimet do të ishin falas për personat me aftësi të kufizuara, se çmimi i energjisë elektrike do të ulej dhe se ai do t’i kompensonte ato plotësisht. Por të gjitha këto premtime rezultuan mashtrime”, ka deklaruar deputetja Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, personat me aftësi të kufizuara po përballen me vështirësi të shumta dhe nuk i pranojnë më premtimet boshe të Erion Veliajt, pasi në dy vite në pushtet ai nuk mbajti asnjë premtim, por vetëm mashtroi.

“Ngjashëm, ai premtoi përmirësim të legjislacionit të personave me aftësi të kufizuar, gjë që do të rezultonte në përmirësim të kushteve dhe të jetesës së tyre. Por sot, pas dy vitesh në Ministrinë e Mirëqënies, jo vetëm që nuk ka asnjë përmirësim të legjislacionit, por përkundrazi ai është pjesërisht i përkeqësuar dhe pjesa më e madhe është e pezulluar, gjë që rrjedhimisht rezulton në përfitime të pezulluara për shumicën e personave me aftësi të kufizuar”, ka vijuar deputetja e PD-së.

Top Channel