Durrës, Dako mbjell palmën e 1000-të në lagjen muzeale

16/05/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka takuar banorët në lagjen numër 1 të qytetit, ku ka mbjellë në mënyrë simbolike edhe palmën e 1000-të të qytetit.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se palmat janë një traditë në Durrës, pasi ato janë mbjellë në shëtitoren e qytetit që në vitet ‘70, ndaj sot mbjellja e tyre është vazhdimi i kësaj tradite. Në fjalën e tij Dako u dha përgjigje disa prej akuzave të rivalëve:

“Na akuzojnë që kemi mbjellur shumë palma në qytet, por ju jeni vetë dëshmitarë se që nga vitet ‘70 shëtitorja nga Vollga deri në Muzeun Arkeologjik ishte e mbjellë me palma dhe ne sot vazhdojmë traditën e mbjelljes së këtyre pemëve që i shkojnë bregdetit tonë.

U them kundërshtarëve të mi se mbjellja e palmave nuk është shpikje e imja, por vazhdim i traditës që ka filluar që nga vitet ‘70 në Durrës. Po kështu, na akuzojnë se palmat janë të shtrenjta apo kushtojnë 5 mijë euro etj.

Po ju sqaroj se një palmë që është mbjellë në rrugën e plazhit kushton 31 mijë lekë të rinj, pa TVSH, ose rreth 220 euro dhe fjalët e thëna deri tani kanë për qëllim dezinformimin e opinionit.

Po kështu na akuzojnë se nuk kemi përfituar projekte nga Bashkimi Europian, nga IPA, dhe unë po ju përgjigjem se përpara dy vitesh kemi përfituar tre projekte nga IPA vetëm për qytetin e Durrësit dhe këto projekte janë: ndriçimi i mureve të kalasë, sinjalistika turistike e të gjitha siteve arkeologjike në Durrës, e po kështu kemi përfituar projekt edhe për sinjalistikën rrugore të hyrjes së Durrësit”.

Top Channel