Siri, forcat speciale USA vrasin kreun e hershëm të ISIS

16/05/2015 00:00

Forcat e operacioneve speciale të ushtrisë amerikane kanë kryer një operacion blic në Siri, ku kanë vrarë një komandant të hershëm të Shtetit Islamik.

Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ amerikan, CNN, që për momentin nuk jep shumë detaje mbi operacionin.

Pak ditë më parë, të mërkurën, sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara shkaktuan viktimën e radhës mes krerëve më të lartë të Shtetit Islamik, e pikërisht zëvendësin e liderit të grupit.

Abdul Rahman Mustafa Mohammed, i njohur gjithashtu si Abu Alaa al-Afri, ndodhej brenda një xhamie në Tal Afar, e cila u kthye në shënjestër të sulmeve ajrore dhe nuk mundi të mbijetonte. Ai po takohej me dhjetëra militantë, të cilët gjithashtu mbetën të vdekur nga goditja ajrore.

Në javët e fundit ka pasur raportime të pakonfirmuara se Afri kishte marrë drejtimin e përkohshëm të operacioneve të Shtetit Islamik.

Më herët gjatë muajit, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në 7 milionë dollarë për informacione mbi vendndodhjen e Afrit, të cilin DASH e kishte identifikuar si Abdul Rahman Mustafa al-Qaduli.

Top Channel