Përgatitja e sezonit turistik, kompetencat do t’i kalojnë AKB-së

16/05/2015 00:00

300 punonjës sezonalë do të angazhohen për pastrimin e vijës bregdetare gjatë muajve të verës.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare, tha se javën e ardhshme pritet të nisë puna, si në zonat bregdetare ashtu dhe në akset kryesore nacionale për t’i pastruar nga inertet dhe mbetjet e tjera. Ndërkaq, Ministria e Mjedisit të kryejë dezifektimin e lagunave.

“Janë një numër rreth 300 punonjës sezonalë që do të merren për të pastruar në përgjithësi plazhet kryesore të Shqipërisë, dhe për të qenë një lloj kujdestarësh të plazheve, për të kompensuar mungesat që do të kenë komunat dhe bashkitë”, shprehet Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Por edhe pse AKB ka zhvilluar një plan menaxhimi të zonës së bregdetit, implementimi i tij është i vështirë. Tare thotë se këto kompetenca i kanë komunat dhe bashkitë, çka krijon vështirësi në menaxhimin e plazheve, sipas planit të hartuar nga kjo Agjenci.

“Pse plazhet tona nuk ecin? Se kanë kohëzgjatje, dhënie me qira shumë të vogël, vetëm një sezon dhe për arsye të ndryshme të komunave dhe bashkive, pa i paragjykuar, që e ndajnë rërën në copa të vogla. Dhe asnjë investitor serioz lokal nuk ka mundësi të investojë një stacion plazhi, siç e kemi parashikuar ne. 45-50 mijë euro, nuk i investon dot për një sezon dhe një sipërfaqe të vogël”, vijon Tare.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit tha që, nëse plazhet do të menaxhohen sipas planit të paraqitur, atëherë të ardhurat në një vit do të ishin 5 deri në 6 milionë euro.

Top Channel