Masakra mjedisore e HEC-eve, kanë shkatërruar parqe, pyje e rrugë

16/05/2015 00:00

Edhe pse Ministria e Energjitikës ka miratuar ndërtimin e rreth 400 HEC-eve, vetëm 180 prej tyre janë të pajisura me leje mjedisore.

Kryeinspektori i Mjedisit, Ergys Agasi, tha se situata është e vështirë edhe për subjektet që kanë leje. Gjatë inspektimit ka rezultuar se HEC-et me leje mjedisore po ndërtohen në zonat pyjore e kullotore, të cilat sipas udhëzimit të ministrit të Mjedisit, duhet të kompensohen në një tjetër vend, çka deri më tani nuk është bërë.

“Pothuajse në të gjithë hidrocentralet e dhëna me koncesion, terreni ku do të ndërtohen i takojnë fondit pyjor dhe kullosor, të Ministrisë së Mjedisit. Këto subjekte kanë detyrimin ligjor të bëjnë aplikimin për heqjen nga fondi pyjor pranë Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Mjedisit. Në bazë të një udhëzimi të ministrit të Mjedisit është për një sipërfaqe të caktuar që do të hiqet nga fondi pyjor, atëherë ti si subjekt je i detyruar të bësh trefish pyllëzimin e kësaj sipërfaqeje që subjekti ka zënë në ndërtimin e HEC-it”, thotë Agasi.

Dëmet mjedisore llogariten në miliona euro. Janë të paktën katër HEC-e që kanë shkatërruar qindra hektarë pyje dhe kanë dëmtuar rrugë, çka ka bërë që ministria e Mjedisit t’i pezullojë.
 
“Katër kompanive u është caktuar vlera e dëmit në fond pyjor, që është 15 miliardë lekë të vjetra. Tashmë Inspektoriati i Mjedisit është në proces gjyqësor me këto subjekte për të ndjekur deri në fund penalisht këto subjekte dhe për të marrë mbrapsht dëmin e shkaktuar. Ka prerje masive të pyjeve dhe hapje rruge të paligjshme apo të pamiratuar nga Ministria e Mjedisit për të shkurtuar dhe për të lehtësuar në një farë mënyrë ndërtimin e këtyre HEC-eve nga subjekte të veçanta”, vijon Agasi.

Inspektoriati i Mjedisit ka arritur të inspektojë punimet e 33 HEC-eve, të cilët po ndërtohen në zona që i përkasin fondit pyjor. Asnjë prej tyre nuk ka bërë kompensimin e dëmit në mjedis në zona të tjera, edhe pse udhëzimi i ministrit të Mjedisit është i qartë.

Top Channel