Ndryshimi i teksteve në shkolla, klasa e parë dhe e gjashtë me libra unikë që këtë vit

16/05/2015 00:00

Në shtator nxënësit e klasave të para dhe të gjashta do të mësojnë me tekste unike, që do të përzgjidhen gjatë këtyre javëve nga një komision ekspertësh. Këshilltari i ministres se Arsimit, Agim Leka, tha se jane 18 tekste që po hartohen nga këto shtëpi botuese të huaja dhe shqiptare, të cilat do të përzgjidhen me shumë kujdes.

“Do të jenë botuesit shqiptarë, të cilët kanë filluar tani të punojnë me tekstet e lëndëve humane. Ministria e Arsimit ka një vit që ka shpallur kurrikulën, programet e reja, dhe botuesit, autorët shqiptarë kanë një vit kohë që të mendojnë, të studiojnë, të kenë përgatitur projektet e tyre për tekstin shkollor, që duhet paraqitur brenda afatit ligjor të konkursit. Pastaj, teksti më i mirë që do fitojë do t’i jepet nxënësit shqiptar”, thotë Agim Leka, këshilltar i ministres së Arsimit.

Tekstet e lëndëve shkencore dhe ato të gjuhëve të huaja do të përzgjidhen nga shtëpi botuese të huaja.

“Shtëpitë botuese që përkthejnë lëndët ekzakte dhe shkencat e matematikës janë shtëpi angleze, të deklaruara dhe të shpallura publikisht. Lëndët e gjuhëve të huaja do të merren nga autorë të shtëpive botuese të huaja”, vijon Leka.

Ministrja e Arsimit tha se reforma e alterteksit ka rezultuar e dështuar dhe e korruptuar. Në tregun e librit shkollor ka patur 11 alternativa për një tekst, çka ka bërë që gabimet të jenë të mëdha dhe pasojat do të ndihen në formimin e nxënësve shqiptarë. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se Shqipëria do të shkojë drejt teksteve të unifikuara, edhe pse ky vendim është kundërshtuar nga Shoqata e Botuesve, por edhe grupet e interesit.

Top Channel