Çfarë kërkojnë njerëzit nga gjykatat? Sondazhi i Gjykatës së Apelit

16/05/2015 00:00

Mbi 200 persona, avokatë ose palë të interesuara në proces, u janë përgjigjur një sondazhi të zhvilluar nga Gjykata e Apelit për pritshmëritë e tyre mbi shërbimin e administratës së kësaj gjykate.

E ndërsa janë shprehur pozitivë për performancën e administratës, ata rekomandojnë shtimin e sporteleve për shkak të ngarkesës.

“Në pjesën më të madhe të sugjerimeve, së pari, është kërkuar përmirësimi i ambienteve të gjykatës dhe hapja e më shumë sporteleve për t’u shërbyer qytetarëve. Ky është një detyrim, që mua si kryetar gjykate më vendos përpara një pozite, që më duhet të komunikoj me Zyrën e Administrimit të Buxhetit, ministrin e Drejtësisë dhe me instanca të tjera shtetërore, së pari për të rritur numrin e personelit të Gjykatës së Apelit, pra të kemi mundësinë t’ua krijojmë shërbimin në një kohë sa më të shkurtër qytetarëve, mos t’i lëmë të presin, dhe e dyta, mendoj se ka ardhur koha që Gjykata e Apelit në Tiranë, si një prej gjykatave më të rëndësishme në vend, të ketë një godinë të re. Do t’i kërkojmë qeverisë që të financojë ndërtimin e një godine të re më cilësore. Sot nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësore janë financuar një sërë gjykatësh të reja, ajo e Krimeve të Rënda, e Vlorës, Shkodrës, Korçës dhe gjykata më e rëndësishme nuk është futur në këtë plan”, deklaron Alaudin Malaj, kryetar i Gjykatës së Apelit.

Por çfarë mendon kryetari i Gjykatës për sugjerimin tjetër të qytetarëve për shpejtësi në gjykim?

“Nuk mund të pretendojmë që një gjykim në Gjykatën e Apelit të bëhet për një kohë shumë të shkurtër. Ne sot jemi në standardin që një çështje mbarohet në 8-10 muaj. Në raste të veçanta kalon edhe një vit. Mendoj që një vendim i Gjykatës së Apelit, që të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët, të krijojë maturinë e duhur, duhet të jetë jo më pak se 6 muaj”, shton Malaj.

Malaj u bën apel edhe krerëve të gjykatave të tjera në vend që të zhvillojnë pyetësorë të tillë me publikun, në mënyrë që të kuptojnë në mënyrë direkte kërkesat e tij.

Top Channel