Zyrë shërbimi në Policinë e Elbasanit, përurohen mjediset e reja

16/05/2015 00:00

U përurua në Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan Zyra e Shërbimit ndaj qytetarit, ku kanë marrë pjesë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe drejtues të pushtetit vendor.

Ministri Tahiri e cilësoi këtë zyrë si një ndryshim i mentalitetit të punonjësit të policisë me qytetarin. Me sloganin e fushatës “Ne jemi drejtimi i duhur”, Saimir Tahiri tha se në 18 muaj i është ndryshuar fytyra Policisë së Shtetit edhe pse ende mbetet shumë për t’u bërë.

“Qytetari duhet të jetë komod, të vijë dhe të gjejë një partner tek punonjësi i policisë, që e ndihmon edhe atëherë kur ajo që thotë qytetari nuk është vepër penale. Duhet të gjejë në zyrat e policisë një shërbyes të përulur ndaj interesit publik dhe interesit të qytetarëve. Ne jemi shumë larg nga krijimi i këtyre kushteve, por sigurisht gjatë kësaj kohe kemi bërë hapa kolosale drejt këtij shërbimi”- deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe drejtori i Policisë së Qarku të Elbasanit, Alfred Çepe në këtë ceremoni pohoi se këto zyra do t’u ofrojnë shërbim të shpejtë dhe efikas qytetarëve, ndaj nuk është një fasadë e re, por filozofi e shërbimit të qytetarëve.

Në po këtë linjë u shpreh edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili vuri theksin tek qytetari dhe shërbimi që policia duhet t’i japë atij.

“Në këtë kuadër, sot si dhe në shumë drejtori dhe komisariate të tjera në shumë qarqe, ne reflektojmë standardin dhe përafrimin që i mundësojmë në të gjitha shërbimet për qytetarin, duke e konsideruar atë si klient, dhe jo më si mbikëqyrës i shërbimeve policore”- u shpreh Çako.

Mjediset e reja të përuruara synojnë të shërbejnë në kursimin e kohës së qytetarëve, marrjen e informacionit në kohë reale, si dhe unifikimin e shërbimit në të gjitha komisariatet e qarkut.

Top Channel