“Entiteti ushtarak”, AAK del kundër: Ide e rrezikshme

16/05/2015 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se ideja e hedhur së fundmi, që javëve në vijim do të diskutohet për krijimin e një “entiteti ushtarak” minoritar, paralel dhe njëetnik, brenda strukturës së ardhshme të Forcave të Armatosura të Kosovës, ekskluzivisht për pakicën serbe, është i rrezikshëm, jofunksional dhe çintegrues.

Kjo, sipas partisë së Ramush Haradinajt, është edhe jashtë çdo praktike standardizuese të strukturave të rregullta ushtarake të shteteve demokratike, dhe të vetë NATO-s.

“Paralelizmi ushtarak që pritet të diskutohet në mes Prishtinës dhe Beogradit, në hierarki vertikale dhe horizontale me nivel komandues të veçantë dhe i ndarë nga struktura e unifikuar e komandimit ushtarak, ka tendencë të implikojë dhe të kontrollojë Ushtrinë e Kosovës nga prezenca paralele brenda FAK-ut nga Serbia, përmes infiltrimit të marrëveshjeve politike”- thuhet në reagimin e AAK-së.

Top Channel