Prezantohet Sotiraq Filo në Korçë, Rama i përgjigjet Bashës

16/05/2015 00:00

Edi Rama dhe Ilir Meta u ndalën në Korçë për të prezantuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Sotiraq Filo.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryeministri Edi Rama tha se Qeveria mbajti zotimin e dhënë duke investuar në 18 muaj më shumë se ç’është investuar në gjithë periudhën e mëparshme në qytetin e Korçës.

“Ka ndryshuar situata si nata me ditën, sepse ka ndryshuar si nata me ditën marrëdhënia e Qeverisë me këtë qytet, që jo më kot hyri në histori dhe u përcoll brez pas brezi si “Parisi i vogël”, e ne duam ta bëjmë kështu”- deklaroi Rama.

Në listat për këshillat bashkiakë, 50 për qind e emrave janë femra. Këtë Rama e cilësoi një vlerë të madhe, që Korça do ta mbështesë më shumë se kushdo.

“Besoj që Korça do të jetë një nga ato qytete që do të na njohë me votë vlerën e madhe të një hapi të jashtëzakonshëm që kjo aleancë ka bërë përpara, për të pasur 50 përqind gra dhe vajza në këshillin bashkiak. E kemi bërë në vetëdijen e plotë, sepse jemi të bindur sesa mëshumë gra dhe vajza në punët e këtij vendi, aq më shumë vendi në drejtimin e duhur”- vazhdoi kryeministri.

Rama u ndal edhe tek premtimet e Lulzim Bashës, i cili gjatë prezantimit të kandidatit të opozitës në Vlorë, deklaroi se Partia Demokratike do të rikthejë taksën e sheshtë.

“Kulmi është që do ta nisin me taksën e sheshtë. Këtu ja fusin kot, sepse asnjë bashki nuk ka në dorë taksën e sheshtë. Ka kohë për taksën e sheshtë, ajo është në 2017, ne jemi në 2015. Ne bëmë uljen më të madhe të taksave në shërbim të shtresës së mesme dhe të shtresës në nevojë”- shtoi Rama.
 

Top Channel