PDK propozon Hashim Thaçin për President, Veseli: Me votat e deputetëve ose nga populli

16/05/2015 00:00

Nëse jo me votat e deputetëve të Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës po përgatitet që me votat e qytetarëve të fitojë garën presidenciale dhe kryetari i saj Hashim Thaçi të jetë President i Kosovës.

Këtë ide e promovoi të shtunën kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Kadri Veseli. Ai përmendi muajin Mars si kohë të përshtatshme kur do të mund të mbahen zgjedhjet presidenciale

“Të gjithë qytetarët e kemi një borxh të madh për arsye se shumë shpejt duhet të rikthejmë padrejtësinë, ajo është që në mënyrën demokratike në mos me votat e deputetëve, shumë shpejt në Mars ta kurorzojmë President të Kosovës me votat e qytetarëve të Kosovës”- tha Veseli.

Këto komente Veseli i bëri në kuvendin e IV-të zgjedhor të gruas në PDK. Vet kreu i kësaj partie Hashim Thaçi pasi vlerësoi rolin e gruas në politikë, tha se PDK-ja do të vazhdojë të ketë rol prirës në skenën politike në vend.

“Ju jeni organizata më e fuqishme e gruas, jo vetëm në kuadër të organizimeve politike në Kosovë, por edhe në rajon. Ju keni udhëhequr një organizatë të gruas që ka shënuar suksese të njëpasnjëshme dhe keni dhënë kontribut për fitoret e njëpasnjëshme të PDK-së”- u shpreh Thaçi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti zgjidhet nga dy të tretat të votave e të gjithë deputetëve të Kuvendit  me votim të fshehtë. Autoritetet kosovare pas marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa-Pacolli në vitin 2011, kishin krijuar komisionin parlamentar për reformën zgjedhore dhe kushtetuese për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme edhe zgjedhjen e presidentit nga votat e qytetarëve.

Por përveç disa ndryshimeve kozmetike, siç janë vlerësuar në ligjin zgjedhor, Kushtetuta në kapitullin e  zgjedhjes së Presidentit nuk është prekur fare, dhe presidentja Atifete Jahjaga, ndryshe nga sa ishin pajtuar liderët për mandat njëvjeçar, po gëzon mandatin e plotë si Presidente e Kosovës. 

Top Channel