Zaev publikon të tjera përgjime: Gruevski bisedon fshehurazi me Greqinë për emrin

16/05/2015 00:00

Kryetari i partisë opozitare maqedonase LSDM, Zoran Zaev akuzoi kryeministrin Gruevski dhe ish-shefin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, se fshehurazi kanë biseduar me palën greke për të ndryshuar emrin kushtetues të Maqedonisë.

Këto akuza Zaev i ka mbështetur në disa biseda të përgjuara telefonike të kryeministrit Gruevski, ish-ministrit të Jashtëm Antonio Milloshovski, ish-shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov dhe ish-negociatorit maqedonas për çështjen e emrit, Zoran Jolevski.

Regjistrimet audio që u publikuan në një konferencë për shtyp, sipas liderit të opozitës dëshmojnë se Gruevski ka bërë tregti me grekët, jo vetëm për emrin e vendit, por edhe për identitetin e popullit maqedonas.

“Këto audio-regjistrime dëshmojnë se Nikolla Gruevski ka gënjyer kur thoshte se nuk bën pazar me emrin e vendit. Jo vetëm për emrin, ai ka bërë tregti edhe për çështjen e identitetit. Dhe gjithë këtë e ka bërë fshehurazi. Prandaj në njërën nga bisedat e publikuara dëgjojmë sesi negociatori maqedonas në letër, Zoran Jolevski i tregon ministrit të Jashtëm, Antonio Milloshovski se ndërmjetësi i OKB-së në çështjen e emrit e ndjen se është i përjashtuar nga procesi”- deklaroi Zaev.

Pas skandaleve të Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, që u zbuluan përmes skandalit të përgjimeve, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev tha se pret pjesëmarrje masive në protestën e së dielës për rrëzimin e Qeverisë, pavarësisht presioneve të ndryshme që bën pushtetit për të penguar daljen e qytetarëve.

Zaev tha se paralajmërimi i pushteti për të organizuar protesta një ditë pas mitingut të opozitës, është përpjekje për të provokuar incidente.

“Thirrja e qeverisë për të organizuar protesta kundër mitingut të opozitës një ditë më vonë, është përpjekje për të provokuar.  Protesta të ngjashme siç po organizon pushteti në Shkup, herën e fundit janë organizuar në Serbi dhe Ukrainë. Nëse Gruevski dëshiron ta konfirmojnë se është i ngjashëm me diktatorët në të gjithë botën, këtë mund ta bëjë me duke mbajtur protestat kundër opozitës ditën e hënë”- u shpreh Zaev.

Lideri social-demokrat paralajmëroi se protestat e opozitës nuk do të ndalen deri në rrëzimin e Gruevskit nga pushteti.

Top Channel