Durrës, zjarr në një banesë. Preken edhe dy shtëpitë ngjitur. Asnjë i lënduar

17/05/2015 00:00

Një banesë është djegur, ndërsa dy të tjera janë dëmtuar nga një zjarr, që ka rënë gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, në qytetin e Durrësit.

Ngjarja është regjistruar në lagjen nr. 9, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, ku shtëpitë janë ngjitur me njëra-tjetrën.

Fillimisht mësohet se zjarri ka rënë në banesën dykatëshe të shtetasit Kristo Vaso, për t’u përhapur me shpejtësi dhe në shtëpitë ngjitur me të. Si rezultat janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale, por jo lëndime në njerëz.

Familjarët kanë pasur mundësi të dalin nga shtëpitë në flakë, ndërsa 4 mjetet zjarrfikëse në vendngjarje kanë punuar për disa orë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për ta shuar atë.

Paraprakisht, deklarohet se shkak i zjarrit është bërë një bombulë gazi, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Pak javë më parë, një tjetër shtëpi në këtë zonë të qytetit bregdetar u shkrumbua nga zjarri, duke rrezikuar banesat përreth saj.

Top Channel