Basha në Shkodër: Qeveria po lufton opozitën

17/05/2015 00:00

Për Lulzim Bashën, energjitë e qeverisë po investohen jo për rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por në atë që ai quan “luftë politike ndaj opozitës”.

Në takimin me të rinjtë shkodranë, Basha vuri këtë nënvizim në kontekstin e asaj që opozita thekson prej kohësh, të rënies ekonomike, rritjes së çmimeve e papunësisë.

“Unë do të uroja që ai të luftonte me të njëjtën fuqi që më lufton mua, papunësinë; të lufonte me të njëjtin prioritet që lufton kryetarin e opozitës, varfërinë; të luftonte pagat e ulta, pensionet e ulta me të njëjtën forcë që sulmon, shpif dhe fajëson këdo, përveç vetes së tij”, tha Basha.

Pavarësisht se këto janë zgjedhje lokale, kjo nuk e pengon kreun e demokratëve të premtojë edhe masa që janë në vendimmarrjen e qeverisë qendrore: “Kemi ofertën e uljes së taksave, kemi ofertën e uljes me 25% të çmimit të energjisë dhe faljes së kamatëvonesave për të gjithë shqiptarët. Kemi ofertën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kemi ofertën e dëmshpërblimit lek për lek të të gjitha objekteve të prishura në mënyrë të paligjshme nga qeveria Rama-Meta”.

Këtë premtim, Lulzim Basha e bëri edhe gjatë takimeve me tregtarët e vegjël dhe të mesëm në Shkodër, i shoqëruar nga kandidatja për këtë qytet Voltana Ademi: “Do t’i ulim taksat, edhe çmimin e energjisë do ta ulim. Ky është vendi ku do të jetojmë. Ata që e kanë bërë të pamundur ata do të largohen, jo ju, njerëzit e punës”.

Top Channel