Kapshticë, tentoi të trafikonte 35 kg lëndë narkotike, arrestohet 27-vjeçari

17/05/2015 00:00

Një aksion i shërbimeve të Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me sektorin kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Korçës, ka bërë të mundur mbrëmjen e së shtunës kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit Rigels Kushe, 27 vjeç, banues në Tiranë.

Siç njofton Policia e Shtetit, arrestimi i këtij shtetasi u bë teksa tentonte të dilte nga Republika e Shqipërisë me mjetin në pronësi të tij, kamion tip “Volvo”, me targë AA 763 EL, ku në dy gomat rezervë të tij iu gjetën në cilësinë e provës materiale 34 kg e 980 gramë lëndë narkotike, e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Sasia e lëndës narkotike raportohet të ishte ndarë në 65 pako të mbështjella me letër natriban. Gjithashtu janë sekuestruar edhe 2 aparate celularë dhe një vlerë monetare prej 150 eurosh.

Materialet, siç njofton policia, kanë kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila do të vijojë procedurat e mëtejshme pas ngarkimit të Rigels Kushes me veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Top Channel