Veliaj në Kashar: 4 tregje agro-bujqësore në Tiranë

17/05/2015 00:00

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, u tha banorëve të Kasharit se fushata elektorale e së majtës kurrë nuk do të përgojojë familjet, siç janë duke bërë kundërshtarët.

Ne, tha Veliaj, do të merremi me çështje konkrete që u interesojnë familjeve tona.

“Familjet tona flasin për çerdhet, kopshtet, shkollat, rrugët, ndriçimin… Këto janë problemet reale të familjeve tona. Ne na duket fyerje që çdo ditë tregohen në televizor barcaleta se si kanë lindur gratë e qytetit tonë. Nuk është kjo politika. Ata nuk kërkojnë falje për faktin se Tirana për 4 vite ishte qyteti më i pistë në Europë, por tregojnë barcaleta”, u shpreh Veliaj.

Një banor shprehu shqetësimin për ekzistencën e vetëm një tregu agro-bujqësor, i cili, sipas tij, ka monopolin.

“Në të gjitha takimet që kemi bërë në fshat, na ka dalë ky problem. Propozimi ynë është që Tirana të ketë minimalisht 4 tregje, në të gjitha pikat hyrëse”, tha Veliaj.

Top Channel