PD, Patozi: Rama-Meta, dhunë nga frika e humbjes në Vorë

17/05/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të diel, përmes një deklarate për shtyp të Astrit Patozit, atë që e konsideron si shpeshtim i rasteve dhe incidenteve të dhunës për motive të qarta politike, që po ndodhin në territorin e Bashkisë së Vorës.

Patozi, në deklaratë thekson se koalicioni i majtë në pushtet, i trembur nga humbja e sigurt që e pret në Bashkinë e Vorës, edhe pse nuk ka nisur ende fushata elektorale sipas Kodit Zgjedhor, po i bazon përpjekjet për shpëtim nga humbja te raprezaljet policore, presioni shtetëror dhe te dhuna e falangave të krimit.

“Vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste të Prezës, Agim Kajmaku, goditi në një ambient publik shefin e kabinetit të kryetarit aktual të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili kandidon për zgjedhjet e 21 Qershorit nën siglën e Partisë Demokratike. Zoti Subi Përzhilla u sulmua në mënyrë të papritur nga agresori i dhunshëm, sepse, sipas këtij të fundit, tani pushtetin e kishte e majta dhe askush tjetër nuk mund të guxonte të fitonte përveç saj dhe se Partia Demokratike as fushatë nuk duhet të bënte”, thotë mbi ngjarjen Astrit Patozi.

Ai vijon të shpalosë edhe raste të tjera të ndodhura në këtë periferi të Tiranës. “Vetëm dy netë më parë, një punonjës i Policisë Bashkiake u shoqërua pa asnjë shkak nga forcat e komisariatit 6 dhe u mbajt disa orë pa asnjë arsye bindëse, me pretekstin absurd që përdoret rëndom nga policia: për disa verifikime. Kjo ishte hera e tretë, që ai ndalohej dhe shoqërohej në polici në harkun e pak ditëve”.

Patozi shprehet se ngjarje të tilla po bëhen të shpeshta edhe në fshatrat e tjera, që përfshihen në territorin e kësaj bashkie, sidomos në Prezë, ku spikat zelli i shefit të krimeve, Përparim Zenuni, që më shumë se punonjës i Policisë së Shtetit duket se është një militant i thekur partie, siç theksojnë nga selia blu.

PD denoncon gjithashtu edhe atë që e quan si prani të shtuar të nëpunësve të Administratës Shtetërore në zonat e Vorës, Prezës dhe Bërxullit, ku përfshijnë sipas tyre ministra të kabinetit të kryeministrit Edi Rama, kryesisht të LSI-së, e deri te drejtorët e rëndësishëm, që u bëjnë presion të hapur arsimtarëve, mjekëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera private.

Top Channel