Durrës, Duma: Transport publik për të lidhur periferinë me qytetin

17/05/2015 00:00

Kandidatja e opozitës për kryetare të Bashkisë së Durrësit, Grida Duma është takuar me banorë të Rashbullit, me të cilët ka diskutuar në lidhje me mungesën e transportit publik, por edhe me anëtarë të shoqatës së invalidëve në qytet, për të cilët shqetësim kryesor ishte strehimi.

Teksa ndalej në Rashbull, Duma bashkëbisedoi edhe për problemet e përditshme të banorëve të kësaj zone, si varfëria dhe mungesa e punësimit, ndërsa premtoi se hapja e vendeve të punës do të jetë prioriteti i saj për të zgjidhur shumicën e problemeve sociale në Bashkinë e re të Durrësit.

“Punësimi është problem në të gjithë rajonin e Durrësit, i cili konsiderohet gjithashtu edhe si gangrena apo thembra e Akilit për zgjidhjen e shumë problemeve. Motivimi i punësimit do jetë parësor. Do të gjejmë të gjitha mënyrat, në bashkëpunim edhe me biznesin”, deklaroi kandidatja Duma.

Banorët e zonës shprehën ankesat e tyre në lidhje me rrugën dhe mungesën e transportit, pasi ndihen si të izoluar nga qendra e qytetit, ndaj dhe kandidatja e djathtë premtoi se nuk do të lejojë më që ata të ndihen të tillë, ndërsa vuri theksin në një sistem transporti efikas për lidhjen e rrethinave me qytetin, me stacione të shpeshta dhe orare më të favorshme.

Pjesë e bashkëbisedimit me banorët ishte edhe deputeti Argon Duka, i cili kërkoi bashkimin e të gjithë qytetarëve për të kthyer shpresën në Bashkinë e Durrësit.

“Kundërshtari politik i kandidates sonë i ka dhënë provat, që është i lidhur me një grup njerëzish. I gjithë qyteti i Durrësit e sheh Vangjushin të bllokuar me rrethin e vetë shoqëror, që nuk janë as socialistë dhe as demokratë, por janë dakistë. Kështu që, të bashkohemi të gjithë kështu siç jemi dhe të japim votën për të mirën e fëmijëve tanë, duke arritur të fitojmë”, u shpreh Duka.

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi edhe me anëtarë të Shoqatës së Invalidëve në qytet, të cilët kërkuan më shumë vëmëndje nga bashkia, sidomos për sa i përket strehimit. Duma premtoi se do të ketë drejtësi me strehimin nga bashkia, dhe se çdo shtëpi do t’i takojë atij që ka më shumë nevojë.

Top Channel