Rama mbledh liderët e shqiptarëve në Maqedoni. U kërkohet një qëndrim i unifikuar

17/05/2015 00:00

Një ditë përpara zhvillimit të protestës së madhe, paralajmëruar nga opozita maqedonase, krerët e shtetit shqiptar kanë zhvilluar takime në Tushemisht të Pogradecit, me krerët e të gjitha partive shqiptare në Maqedoni, parlamentare dhe jo të tilla.

Mesa duket, jo më kot kreu i qeverisë shqiptare, kryetari i Kuvendit dhe ministri i Jashtëm shqiptar, në këtë takim informal i kanë ulur në të njëjtën tavolinë drejtuesit politikë të shqiptarëve në vendin fqinj.

Mediet shqiptare në Maqedoni raportojnë se, atyre iu është kërkuar mbajtja e një qëndrimi të unifikuar për përgjigjen ndaj situatës së krijuar atje, e veçanërisht pas ngjarjeve të rënda në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë.

Në to shkruhet se, këtij orientimi të Tiranës nuk i është përgjigjur kreu i BDI-së në qeveri me Gruevskin, Ali Ahmeti. Veçanërisht i vështirë bëhet një unifikim i drejtuesve politikë atje, kur flitet për zbatimin e “Marrëveshjes së Ohrit”, që në ndryshim nga faktori shqiptar brenda dhe jashtë Maqedonisë, Ali Ahmeti, siç e e ka thënë edhe publikisht, beson se ka pasur përparime.

Ndërkaq, mediet shqiptare të Maqedonisë raportojnë gjithashtu se, një orë pas takimit, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi është larguar. Më shumë sesa prania e Ali Ahmetit – thonë këto media, – qëndrimi në këtë tryezë të përbashkët i Menduh Thaçit nuk ka qenë komod, për shkak të pranisë së kreut të Komunës së Strugës në të, pjesë e partisë së tij, që gjithashtu ka kërkuar reformimin e PDSH-së.

Takimi, shkruajnë mediet në Maqedoni, komentohet se nuk ka lënë të kënaqur kryeministrin shqiptar Edi Rama, në përpjekjen për bashkërendimin e veprimeve të partive shqiptare, për shkak të qëndrimeve të Ali Ahmetit.

Mësohet se Tirana do të vijojë komunikimin intensiv me drejtuesit e partive shqiptare të Maqedonisë, komunikim që mesa shihet nuk është aq i thjeshtë me BDI-në, partinë në pushtet të shqiptarëve.

Qëndrimi i ndërkombëtarëve në një sërë takimesh në Bruksel dhe Strasburg, si dhe rrjedha e ngjarjeve pas protestës së madhe të paralajmëruar nga opozita maqedonase, mesa duket do të jenë përcaktuese, jo vetëm për situatën brenda Maqedonisë, por edhe për raportin me krerët e partive politike shqiptare atje, veçanërisht asaj në qeveri, që shihet si me më shumë përgjegjësi.

Pas ngjarjeve në Kumanovë janë rritur pakënaqësitë e shqiptarëve për përfaqësuesit e tyre atje, çka u tregua në reagimin ndaj vizitës së deputetëve të BDI-së në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë. Përballë pakënaqësisë për përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoni, nuk kanë munguar zërat publikë në Tiranë, siç ishte ai i Ben Blushit në Parlament, për të mos legjitimuar më mbështetjen për drejtuesit aktualë të partive politike atje.

“Ajo që ne mund të bëjmë padyshim si shtet, apo si Parlament, është që të mbështesim ata, që nuk mbështesin aktet jodemokratike në Republikën e Maqedonisë. Ne mund të mbështesim demokratët, mes shqiptarëve të Maqedonisë. Prandaj them që, ajo që mund të bëjmë është të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë, demokratët e vërtetë që mund të ketë atje dhe sigurisht që ka”, deklaroi Ben Blushi, deputet i PS.

Nëse Ben Blushi është një zë më i lirë për të bërë të tilla artikulime, për zyrtarët e Tiranës, situata është më delikate dhe qëndrimet për situatën atje janë në një linjë me shtetet kryesore aleate dhe partnere të NATO-s.

FOTO GALERI
1/5
Nga e majta, Meta, Rama dhe Bushati

Top Channel