Rama dhe Meta në Kolonjë, Maliq e Prrenjas, prezantojnë kandidatët e majtë

17/05/2015 00:00

Erseka do të ketë së shpejti sheshin e saj të projektuar me motive të qilimit tradicional të Kolonjës. Punimet që kanë nisur janë investimi i pare ne kete qytet pas 15 vjetesh.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta inspektuan ecurinë e punimeve, që përfshijnë shtrimin e sheshit me gurë dhe pllaka, mbjelljen e pemëve dekorative dhe vendosjen e stolave.

Në Kolonjë u prezantua edhe kandidati i së majtës për zgjedhjet e 21 Qershorit, Arben Malo, i cili është nga radhët e LSI-së.

“Ky është një transformim që ju e keni ndjerë. Në qendër ka filluar një vepër e rëndësishme, që nuk zgjidh problemin e varfërisë apo papunësisë, por është një mesazh i faktit se ju nuk jeni më jetimë. Qeveria i ka kthyer sytë edhe nga Erseka”, u shpreh Rama.

“Më në fund, rilindja po kthehet në rilindje dhe ky projekt transformues do e bëjë Kolonjën një vend që nuk braktiset, por një vend me të ardhme”, theksoi Meta.

Turi i prezantimeve në juglindje të vendit ka vijuar në Prrenjas, me Miranda Rirën, të cilën Kryeministri e quajti si kryetaren e bashkisë që na duhet, ndryshe nga ai i PD-së, për të cilin Rama tha se nuk i ka çuar Qeverisë asnjë projekt për këtë qytet.

“18 muaj kemi ne në detyrë. A ka ardhur ndonjëherë kryetari në detyrë për të trokitur për ndonjë projekt dhe dua mbështetje? Asnjëherë nuk e ka bërë këtë”, tha Kryeministri.

“Ajo vërtetë do ta bëjë Bashkinë e Prrenjasit një vend ku të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre dhe mendoj se ky do të ishte suksesi dhe lumturia më e madhe edhe për atë vetë”, u shpreh Meta.

Aleanca për Shqipërinë Europiane vijoi turin e prezantimeve të kandidatëve në juglindje të vendit me Gëzim Topçiun për Bashkinë e Maliqit.

“Ne i dhamë mbështetje sepse eksperienca, profili dhe vullneti i tij i duhen bashkisë së re dhe atyre zonave të bekuara që nën drejtimin e batakçinjve të PD-së janë kthyer në bataqe korrupsioni dhe varfërie”, u shpreh Rama.

“Njeriu i duhur për ju është Gëzim Topçiu. Edhe qeveria e duhur është ajo me Edi Ramën në krye. Do i japim fund degradimit të fushës së Maliqit”, theksoi Meta.

Top Channel