Shqipëria, në Biennalen e Venecias

17/05/2015 00:00

Në Venecia, në vitin 1895 u çel për herë të parë “Biennale di Venezia”, e konsideruar tashmë prej kohësh si një ndër institucionet kulturore më prestigjioze e më të njohura në botë.

Art, arkitekturë, kinema, “Dance”, muzikë dhe teatër janë sektorët e Biennales. Këto ditë është çelur ekspozita ndërkombëtare e artit. Në ekspozitën e titulluar “All the world’s future” marrin pjesë 136 artistë nga 53 vende të ndryshme të botës, përfshirë dhe Shqipërinë.

Shqipëria përfaqësohet nga Armando Lulaj dhe kuratori Marco Scotini me “Triologji shqiptare – Një seri stratagjemash të tërthorta”. Janë 3 video, materiale arkive dhe një skelet balene.

Projekti ka në fokus një fazë politiko-historike të rëndësishme, si për ndërtimin e identitetit shqiptar, ashtu dhe për atë ndërkombëtar.

Pas një kërkimi artistik disavjeçar, Lulaj sjell në triologjinë shqiptare një konkluzion mbi Luftën e Ftohtë, hijet e socializmit, kujtesën e përbashkët dhe eksperiencën historike.

Vepra e parë në këtë cikël titullohet “It Wears as It Grows”. E dyta “Never”, e cila është shfaqur në ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare, dhe vepra e tretë “Recapitulation”, e përgatitur enkas për Biennalen.

Meqenëse artisti që përfaqëson Shqipërinë nuk pranoi të fliste për mediet shqiptare, mbi konceptin me të cilin merr pjesë vendi ynë flet vetëm kuratori italian, Marco Scotini.

“Ia doli disi që të prekë ato, që në imagjinatën sociale dhe politike janë fuqitë e detit, të tokës dhe qiellit. Kjo, nëpërmjet tre hapësirave të vogla boshe të historisë. Pra, rrëfim i historisë përmes gabimeve. Kjo është pika e përbashkët e këtyre tre punëve. Aspekti performues është trup më trup me historinë, bashkë me mitologjinë dhe ideologjinë e saj. Në këtë rast është thuajse një tentativë për të gjetur tre objekte, që s’jane të zakonshme: balena, mali dhe aeroplani, të cilët artisti kërkon t’i kthejë në funksionin e tyre primitiv. Duket një përpjekje e madhe për ta çliruar historinë nga pesha, por nuk arrin dot. Objektet mbeten të bllokuara në një botë më të madhe. Bukuria qëndron në sforcimin e artistit për të rikuperuar historinë dhe kujtesën”, tha Marco Scotini, kurator.

Pas Biennales së Arkitekturës, ku Shqipëria u përfaqësua suksesshëm me Edi Hilën dhe Adrian Pacin, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e pranishme në hapjen e ekspozitës tha se kjo nuk do të mbetet rastësi, por një politikë. Pasi vlerësoi paraqitjen shqiptare këtë vit të dytë në Biennale, por për herë të parë në pavijonin e rëndësishëm “Arsenale”, sa i përket së ardhmes, ajo çka mendohet është:

“Skena e artit, e kulturës në përgjithësi, por sidomos e artit pamor, të jetë një skenë që shkon përtej kufijve të Republikës dhe të mos ketë kufij. Kjo do të jetë një vazhdimësi dhe duam të krijojmë një sistem, ku Shqipëria të ketë zërin e saj, siç duam ta ketë në festivale dhe ngjarje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, siç janë festivalet e Filmit në Berlinale apo në Cannes. Dua të them, që kemi një potencial të jashtëzakonshëm artistik, pavarësisht se ku jetojnë artistët, në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Itali dhe gjetkë. Ajo që është interesante, është që kemi më në fund një skenë shqiptare, që pavarësisht pasaportës që mbajnë artistët, ata flasin shqip me mesazhet e tyre të fuqishme artistike”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

Top Channel