Afganistan, talebanët sulm vdekjeprurës ndaj policisë europiane

17/05/2015 00:00

Një sulm kamikaz pranë hyrjes së Aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit afgan, Kabul u mori jetën 3 personave, një nga të cilët britanikë.

Incidenti i dhunshëm, i dyti brenda javës, ndodhi në një zonë të përdorur nga automjetet ushtarake, e duket se ka pasur në shënjestër pikërisht makinën e një misioni trajnues të policisë europiane. Përpos personit brenda saj, mbetën të vrara edhe dy vajza të reja afgane.

Të plagosurit janë mbi 20, 8 prej të cilëve gra e 3 të tjerë fëmijë.

Përmes një deklarate të dërguar medieve me e-mail, talebanët morën përgjegjësinë e shpërthimit, që vjen vetëm pak ditë pas mësymjes së një hoteli të frekuentuar nga të huajt në Kabul, ku u vranë 14 vetë, shumica perëndimorë.

Dy adoleshentët, që gjetën vdekjen në sulmin e sotëm, nga sa shpjegojnë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme afgane, ishin kalimtarë të rastit.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa ngriti një shtëllungë tymi në ajër, dëshmi e forcës së tij të madhe. Mjeku i një spitali të zonës, që po kujdesej për të plagosurit, ka gjetur mes tyre edhe disa familjarë të tij.

Sulmi kamikaz vjen dy javë pas një raundi të parë bisedimesh të paqes mes talebanëve dhe grupeve negociatore, ku përfshihen dhe përfaqësues të qeverisë, raund që më shumë konsiderohet një lloj testimi.

Sipas korrespondentëve të huaj është e qartë se, ndërsa një pjesë diskutojnë paqen, të tjerë elementë në radhët e talebanëve duken të vendosura t’i mbajnë tensionet të larta.

Top Channel