Shtypi gjerman rikthen vëmendjen: Rënia e Maqedonisë në kaos

17/05/2015 00:00

Në Gjermaninë ndërmjetëse dhe në mjaft raste mbështetëse të Maqedonisë, vëmendja për zhvillimet e kohëve të fundit në këtë vend ka qenë e madhe.

Shtypi gjerman, megjithatë e ka spostuar fokusin nga përcjellja vetëm e të rejave, tek analizimi i situatës. Gazeta “Tageszeitung” – bën të ditur “Deutsche Welle”, – pyet nëse shpërthimi i dhunës javën që shkoi duhet parë si fenomen i izoluar, apo “si sinjal i një potenciali për konflikt të armatosur në vendin e harruar të Ballkanit Perëndimor, për shkak të krizës në BE, asaj në Ukrainë dhe Shtetit Islamik”.

Megjithëse prej vitit 2001, një parti politike shqiptare gjithmonë ka qenë pjesë e qeverisë, shqiptarët, që përbëjnë rreth 30% të popullsisë, dhe maqedonasit po largohen nga njëri-tjetri, – thekson ajo.

Por më interesant është ndoshta artikulli i “Süddeutsche Zeitung”. E përditshmja prestigjioze kërkon të dijë përse nuk u vu re grupi i Kumanovës nga autoritetet. Shkrimi, nën titullin “Rënia e Maqedonisë në kaos”, tregon se misioni antiterror i qeverisë mund të jetë i inskenuar.

Për këtë arsye citon ish-kreun e Shërbimit Sekret, Goran Mitevski të pohojë se duket jologjike, që një grup terrorist i armatosur rëndë të ketë planifikuar sulme të tilla ndaj institucioneve, që mund të shkaktonin me mijëra viktima e të ketë vepruar pa u vënë re fare nga autoritetet.

Përmendet gjithashtu edhe ish-Gjenerali Ilja Nikolovski dhe bindja e tij se, terroristët e dyshuar janë më shumë mercenarë të paguar.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”, nga ana tjetër shkruante dy ditë më parë se “përplasjet e dhunshme në Maqedoni kanë edhe një sfond ekonomik”.

Këtë të lënë të kuptosh edhe deklaratat e Presidentit maqedonas, Djordje Ivanov, i cili ia faturon Perëndimit një pjesë të fajit për luftimet në Kumanovë, për shkak të bllokadës dhjetëvjeçare, që pengon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Top Channel