Tensioni për kërkimin e naftës në Jon, “To Vima”: Kotzias nuk shkon në SEECP

17/05/2015 00:00

Me titull “Tirana vë në dyshim zonat për kërkimet e naftës në Jon”, gazeta greke “To Vima” i rikthehet përsëri mosmarrëveshjeve të dy vendeve, për sa i përket jo vetëm kufijve detare, por edhe atyre tokësore midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas artikullit të publikuar në numrin e së dielës, specialistë grekë të Ministrisë së Jashtme konsiderojnë kërkesën e palës shqiptare disa ditë më parë, e cila vë në dyshim të drejtën e Greqisë për kërkime dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në një prej zonave të Jonit, një lëvizje që do të sjellë implikime të gjera në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

“To Vima” vë në dukje se, shqetësimi i Athinës zyrtare është rritur ndjeshëm pas këtij veprimi, duke rikujtuar anulimin e takimit të ministrit të Jashtëm, Kotzias, me ambasadorin shqiptar disa ditë më parë.

Gjithashtu, kreu i ri i diplomacisë greke duket se ka vendosur të mos marrë pjesë në konferencën ndërballkanike të ministrave të Jashtëm në Tirane (SEECP), më 22 Maj, ndërsa mbetet ende enigmë kush do ta përfaqësojë Greqinë në samitin e lartë ndërballkanik, 4 ditë më vonë në kryeqytetin shqiptar.

Duke bërë një analizë prej marrëveshjes së detit, që nënshkroi Tirana me Athinën në vitin 2009, të cilën e quan mëse të drejtë; vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë një vit më vonë, që e hodhi poshtë; dhe zhvillimeve deri më sot, “To Vima” shkruan në mënyrë karakteristike:

“Në këtë pikë është i qartë ndikimi i Ankarasë, e cila investon në marrëdhëniet me Tiranën, siç dëshmohet nga vizita e fundit e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan”.

Sipas artikullit, Tirana ka tentuar që të integrojë ratifikimin përfundimtar të marrëveshjes për Zonat Detare në një paketë çështjesh, që do të hidhen në tryezën e bisedimeve me Athinën. Një prej tyre është heqja e ligjit të luftës, që do të mundësojë finalizimin e kufirit tokësor mes dy vendeve, që të jetë integral me kufirin detar.

Top Channel