Berardi makthi i kuqezinjëve, Sassuolo mposht Milanin

17/05/2015 00:00

Berardi rikonfirmohet si makthi i kuqezinjëve të Milanit. Pas katër golave që i shënoi sezonin e kaluar, duke detyruar shoqërinë ta shkarkojë Massimilano Allegri-n, këtë vit italiani i Sassuolo-s, ka shënuar tripletë për të fundosur trajnerin aktual Filippo Inzaghi-n. Sassuolo fitoi me rezultat 3-2, ndërsa u rikthye për të luajtur disa minuta edhe El Sharaaawy.

Domenico Berardi hapi serinë e golave në minutën e 13, në një rast të diskutueshëm, pasi topi nuk kishte kaluar vijën, por gjyqtari e ka quajtur gol. Në të 30-n, italiani shënon për 2-0, ndërsa dy minuta më vonë Bonaventura shënon për 2-1, për të mbajtur gjallë shpresat për një rezultat pozitiv.

Braziliani Alex barazoi rezultatin në 2-2 kur luhej minuta e 51, por gjërat u vështirësuan për Milanin vetëm gjashtë minuta më vonë, ku Bonaventura ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë të tijtë me një lojtar më pak.

Pas presionit të Sassuolo-s, në minutën e 77, Berardi shënon golin e tretë duke i siguruar fitore skuadrës së tij. Tratativat e Inzaghit për të siguruar një pikë nga transferta e Reggio Emilia-s, duke futur në lojë edhe El Sharaawy-n, rezultuan të pasuksesshme, ndërkohë që në fund Suso ndëshkohet me të kuq, duke detyruar Milanin ta mbyllë ndeshjen me nëntë lojtarë.

Top Channel