Çako: Policia, gjithmonë prezente në Lazarat

17/05/2015 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato, kanë zhvilluar të dielën një takim me strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Çako ka theksuar se për shkak të specifikave që ka Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, objektivat kanë ndryshuar nga koha kur e drejtonte ai.

“Tashmë, nuk ka më zona të paprekshme, të pashkelura, nuk ka më të paprekshëm. As breshëri armësh mbi lagjet e qytetit Gjirokastër apo mbi fshatin Derviçan. Nuk ka më as tonelata kanabis e qindra mijëra bimë narkotike  të kultivuara në Lazarat dhe kjo falë punës së përbashkët që bëmë vitin e kaluar, falë seriozitetit dhe vendosmërisë maksimale të qeverisë dhe minisitrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për ta kthyer njëherë e përgjithmonë Lazaratin në një vend ku të mbizotërojë normaliteti e të funksionojë ligji”, tha Çako.

Drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se policia do të jetë gjithmonë prezente në Lazarat, për të mos lejuar që ky fshat të kthehet si ishte në të kaluarën: “Ne jemi prezent në Lazarat për shkak të së kaluarës të Lazaratit, për shak të mbajtjes nën kontroll për të mos lejuar më kthimin e Lazaratit të djeshëm. Jemi në  Lazarat për t’i ofruar atij komuniteti shërbimin policor të munguar  prej  dy dekadash e çdo shërbim tjetër që ofrojnë institucionet shtetërore. Për t’i siguruar rendin dhe qetësinë banorëve të ndershëm të fshatit Lazarat, për të bërë të mundur krijimin e një ambienti social sa më të sigurtë që edhe banorët e Lazaratit të ndihen njësoj dhe po aq të sigurtë sa gjithë banorët e këtij vendi”.

Drejtori i Policisë së Shtetit konfirmoi se prania e punonjësve të policisë në këtë fshat, lidhet me përpjekjen për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë punë me drejtësinë.

Për sa i përket fushatës zgjedhore, ai theksoi nevojën për zbatimin e ligjit duke mos rënë pre e ndonjë tendence apo emocioni të çastit. “Duhet të tregohemi profesionalë, të paanshëm për të ndëshkuar cilindo që tenton të prishë rendin e qetësinë gjatë aktiviteteve elektorale dhe fushatës në tërësi”.

Top Channel