Protestat në Shkup filluan në ditën dhe orën e paralajmëruar: të dielën në 14:00! Dhe siç ka paralajmëruar kryetari i opozitës, ato do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kjo është protesta më e mëdha antiqeveritare që është organizuar në Shkup dhe mbase e vetmja ku shihen të valëviten flamuj të të gjitha etniteteve që jetojnë në këtë shtet, e ku nuk mungojnë as flamujt kombëtarë shqiptarë.
 
Thuhet se numri i protestuesve është mbi 300 mijë, por askush nuk mund ta përcaktojë numrin e tyre sipas përkatësisë etnike.
 
Numri i shqiptarëve nuk është ai që mund të ishte dhe ai që të gjithë e prisnin. Disa opinionistë thonë se arsyeja kryesore për ngurrimin e shqiptarëve të marrin pjesë në këto protesta, është mospublikimi i bisedave të përgjuara telefonike, që me aq padurim ata i prisnin, e që kanë të bëjnë me rastin “Monstra” dhe likuidimin e figurës emblematike të ish UÇK-së, Harun Aliut.

Shqiptarët nuk dolën masivisht në protesta edhe për një arsye tjetër: maqedonasit etnikw asnjëherë gjer më tani nuk e kanë ngritur zërin kundër padrejtësive që ky shtet u bën shqiptarëve. Gjë të cilën më së miri e ilustroi një nga folësit në këto protesta, regjisori maqedonas Aleksanadar Popovski, i cili numëroi me dhjetëra protesta ku ka marrw pjesë, por asnjëra nga ato nuk kishte të bënte me revoltën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Top Channel