Vriten 5 liderë të ISIS në veri të Sirisë

17/05/2015 00:00

Ushtria siriane ka vrarë pesë liderë të Shtetit Islamik në lindje të vendit. Lajmi është raportuar nga televizioni shtetëror sirian, sipas të cilit militantët e vrarë janë me kombësi saudite, çeçene, jordaneze, irakiane, dhe turke.

Një ditë më parë, forcat e operacioneve speciale të ushtrisë amerikane ndërmorën një operacion blic në Siri, ku kanë vrarë një tjetër komandant të hershëm të Shtetit Islamik. Ndërsa të mërkurën, sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara shkaktuan viktimën e radhës mes krerëve më të lartë të Shtetit Islamik, e pikërisht zëvendësin e liderit të grupit. Abdul Rahman Mustafa Mohammed, i njohur gjithashtu si Abu Alaa al-Afri, ndodhej brenda një xhamie në Tal Afar, e cila u kthye në shënjestër të sulmeve ajrore dhe nuk mundi të mbijetonte. Ai po takohej me dhjetëra militantë, të cilët gjithashtu mbetën të vdekur nga goditja ajrore.

Më herët gjatë muajit, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në 7 milionë dollarë për informacione mbi vendndodhjen e Afrit, të cilin DASH e kishte identifikuar si Abdul Rahman Mustafa al-Qaduli.

Top Channel