Përfundon Festivali i Gjirokastrës

17/05/2015 00:00

Në një atmosferë të ndezur nga ritmet e natës finale dhe muzikantë të shumtë të ftuar, është mbyllur Festivali Folklorik Kombëtar “Argjiro Fest On” në Gjirokastër.

Nata e dhënies së çmimeve është përshëndetur nga shumë grupe muzikore, artistë e instrumentistë. Tërhoqi vëmendjen e publikut debutimi në lahutë i familjes Nonaj, me instrumentistin 105-vjeçar Gjokë Nonaj.

Ai mbante në duar një lahutë 200-vjeçare dhe solli për publikun një rapsodi epike.

Olen Çezari dhe banda e tij e klandestinëve internacionalë solli ritme shqiptare dhe botërore në skenën e kalasë.

Juria ka dhënë vlerësime të shumta për elementë të ndryshëm: këngëtarë, valltarë dhe aspekte të evidentuara të folklorit e ruajtjes së autenticitetit. Kështu, çmimi për kostumografinë më të larmishme shkoi për qarkun e Lezhës, qark që solli një larmi kostumesh të vjetra, sidomos në veshjet e vajzave, ku dalloi kostumi i nuses së Mirditës.

Çmime shkuan gjithashtu për interpretues të shumtë nga Berati, Mali i Zi, grupet e shqiptarëve të Malit të Zi e Maqedonisë.

Juria vlerësoi me çmime të dyta grupet e Beratit dhe Korçës dhe me çmime të treta grupet folklorike të qarqeve Lezhë dhe shqiptarët e Malit të Zi.

Gjatë Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës “Argjiro Fest On 2015” interpretuan më shumë se 1200 artistë popullorë të moshave nga 5 deri në 105 vjeç, dhe Gjirokastra strehoi përgjatë javës mijëra vizitorë e turistë që u bënë pjesë e eventit.

Top Channel