Fushata ndryshe e Gjergj Bojaxhiut, larg medias dhe rrjeteve sociale

17/05/2015 00:00

I qetë dhe me pak fjalë Gjergj Bojaxhiun e takojmë në rrugë këtë të diel teksa i drejtohej zyrës së tij elektorale.

Qëndron për një intervistë të shkurtër, por janë të shumtë qytetarët që e presin për të takuar kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës.

Qytetarja: Nuk po gjeja rastin të të takoja, se nuk po dilni as në fushat.

Gjergj Bojaxhi: Fushat nuk ka, por vetëm komunikim.

Qytetarja: Faleminderit shumë nga ju që vendosët të kandidonit për kryetar bashkie. Na çliruat nga dilema, pasi ishim në mëdyshje, të votojmë apo jo.

Ndryshe nga kandidatet e së majtës dhe të djathtës, Bojaxhiu thotë se ka zgjedhur komunkimin e pastër pa propagandë me mbështetësit e tij.

“Deri tani kemi thënë se do të shkojmë të votojmë për të keqen më të vogël, ndërsa tani me shpirt votojmë për njeriun më të mirë”, shprehet një tjetër qytetar. 

“Në thelb ne po përpiqemi të komunikojmë me qytetarët dhe jo të bëjmë propagandë dhe kjo gjë do të vazhdojë përgjatë gjithë fushatës elektorale që vjen në vazhdim. Ne mendojmë që qyteti i Tiranës nuk ka më nevojë për propagandë, por ka nevojë për komunikim, punë, ka nevojë për një moral të ri qeverisës”, shprehet Bojaxhi.

I gjithë stafi që po e mbështet punon me orë të gjata duke pritur qytetarë që e mbështesin Bojaxhiun, por duke organizuar dhe aktivitetet e tij në ditë të ndryshme. Media sociale është zgjedhur si një ndër rrugët më të mira të komunikimit më të rinjtë.

“Një qytetare pyet: Si mendoni ti mblidhni taksat lokale dhe investimi i tyre për komunitetin? Unë mendoj se arsyeja më e madhe pse këto taksa nuk mblidhen është sepse drejtuesit e bashkisë janë duke menduar për votat që do të humbasin dhe jo për shërbimin dhe zbatimin e ligjit që duhet të bëjnë për interes të qytetarëve”, i përgjigjet një qytetareje në “Facebook” Bojaxhiu. 

Gjatë kësaj periudhe fushate thotë nuk është gjithçka ecën më së miri .Nuk janë të pandjeshme sulmet e politikës as për kandiatin e pavarur.

TCH: Cila është qasja e subjekteve politike ndaj kandidatëve të pavarur?

Gjergj Bojaxhi: Synimi i tyre është të ulin besueshmërinë e alternativave të reja. Ata do të donin që qytetarët e Tiranës të besojnë se asgjë që nuk del nga partitë politike nuk mund të jetë e mirë. Ata duan të besojnë, që ne si shoqëri jashtë partive politike mund të kemi alternativa dhe modele të ndershme dhe të suksesshme.

I pyetur se ku i gjeti fondet për të bërë fushatë në këto zgjedhje, Bojaxhi thotë se shpenzimet janë modeste dhe nga kontributet e qytetarëve, të cilat do të bëhen transparente . “Ndryshe nga partitë politike kjo fushatë nuk mbështetet nga bizneset”, deklaron Bojaxhiu.

Top Channel