Shqiptarët në protestën e Shkupit, nga tribuna flasin edhe përfaqësuesit e tyre

17/05/2015 00:00

Protesta e madhe opozitës maqedonase është mbështetur dhe nga shqiptarët e Maqedonisë, të cilët kanë dalë hapur kundër Qeverisë së Gruevskit.

Veç flamujve të shumtë kombëtarë që valëviteshin në shesh, në podiumin e protestës është folur shqip.

“Studentët e Maqedonisë si kurrë më parë, pa dallim kombi, pa dallim feje, pa dallim idealesh politike, u bënë bashkë për të luftuar ata, të cilën duan t’i humbasin vlerat e këtij vendi, ata të cilët nuk na ofruan ardhmëri. Me çfarë fytyre ju që po i bëni këto gjerë do ta kërkoni votën tonë. Unë besoj që brezi im nuk i do ndarjet, gjenerata ime ka vendosur themelet e bashkësisë multietnike. Prandaj jemi sot këtu për t’i dhënë fund të tilla gjerave. Ju treguam si aplikohet demokracia; ju treguam si duket toleranca; ju treguam si duket transparenca. Ne kërkojmë prej jush që jo vetëm t’i respektoni këto vlera, por edhe t’i aplikoni që asnjëherë më në Maqedoni mos të ndodhë që nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët t’ju mësojnë juve të pjekurve se çfarë është demokracia”, tha në tribunën e protestës një shqiptare.

“Bashkëqytetarë kur ju shoh bashkë si një det njerëzish, kjo është Maqedonia, ajo që ata nuk deshën të ndodhë. T’i themi jo Gruevskit, jo mercenarëve të tij. Jemi të zgjuar, këtë po e tregon ky popull me praninë e tij këtu sot”, u shpreh një tjetër protestues në podiumin e protestës së organizuar nga opozita maqedonase.

Top Channel