Shkup, qytetarët ngrenë tenda para godinës së qeverisë: Protesta deri në largimin e Gruevskit

17/05/2015 00:00

Opozita maqedonase nuk do t’i ndalojë protestat deri në rrëzimin e Gruevskit nga pushteti.

Menjëherë pas mitingut të madh, protestuesit filluan të vendosin tenda para godinës së qeverisë, ku siç thonë, do të qëndrojnë deri në largimin e qeverisë aktuale. Me automjete të ndryshme demonstruesit kanë sjellë, shtretër, mbulesa dhe ushqim për të vijuar me fazën e dytë të protestës.

“Siç mund të vëreni shumë qytetarë kanë vendosur të qëndrojnë këtu me tenda derisa të largohet qeveria. Kemi përgatitur edhe program për ata që do të qëndrojnë këtu; debate, muzikë, ligjërata. Në këtë mënyrë do të mundohemi t’i tregojmë qeverisë se në këtë shtet ekziston shoqëria civile, e cila dëshiron që në Maqedoni të kthehet liria”, u shpreh një qytetar.

“Planifikojmë të qëndrojmë këtu deri në fund, derisa Gruevski nuk jep dorëheqje për të ndaluar më mashtrimet e tij dhe gjërat e këqija që i ka sjellë vendit”, tha i vendosur një tjetër qytetar.

“Do të vazhdojmë për sa kohë që Gruevski nuk e jep dorëheqjen. Ne, shqiptarët, kërkojmë edhe nga Ali Ahmeti që të japë dorëheqje nga koalicioni me Gruevskin”, tha një protestues shqiptar. 

Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, ditë më parë tha se protestuesit që do të qëndrojnë para qeverisë janë paraqitur në mënyrë vullnetare për të vijuar protestën deri në largimin përfundimtar të Gruevskit nga pushteti.

Top Channel