Historia e Efraim Diverolit në një film

17/05/2015 00:00

Efraim Diveroli nuk është lënë në harresë, jo nga “Hollywood”-i të paktën. Skandali që përfshiu Shqipërinë e Pentagonin bashkë do të jetë subjekt i një filmi, që tashmë e ka dhe një emër.

“Arms and the Dudes” do të përcjellë përmes ekranit të madh historinë e jashtëzakonshme të të riut dhe miqve të tij që arritën të firmosnin një mega-kontratë 300 milionëshe për armatosjen e ushtrisë afgane.

Regjia, sipas “New York Daily News”, do të mbajë firmën e Todd Philipps, prodhuesit të Hangover-it. Nuk ka ende asnjë informacion për ‘cast’-in e aktorëve, por vendimet duket se do të merren shumë shpejt.

Diveroli, i njohur për ne si pronari i firmës që u falsifikonte origjinën fishekëve kinezë në Gërdec e pas ripaketimit, ia dërgonte ushtrisë amerikane në Afganistan, u arrestua në 2008-tën nga autoritetet amerikane për trafik armësh.

Në bisedën me agjentin e fshehte që e futi në kurth, ai pati thënë: Isha dikur një kontrabandist armësh e i tillë do të mbetem gjithmonë. Filmi mbështetet në librin e gazetarit investigativ Guy Lawson, “Si u bënë tre djem nga Miami Beach trafikantët më të pazakontë të armëve në histori”.

“New York Daily News”, përmend ndër të tjera arrogancën e madhe të një të riu të pasuruar aq shpejt, që duke iu referuar Shqipërisë kishte thënë ; “Me 20 burra të armatosur në krah, unë e marr këtë vend!`”.

Efraim Diveroli u dënua janarin e 2011-tës me katër vjet heqje lirie, ndërsa dy shokët e tij u lanë në “arrest shtëpie” për disa muaj.

Top Channel