Veliaj në Laprakë, viziton një familje; më herët takoi banorët e Kasharit

17/05/2015 00:00

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Kryeqytetit, Erion Veliaj, vuri në zbatim këtë parim të fushatës së tij, duke u ulur në tryezën e një familje në zonën e Laprakës dhe u njoh nga afër me problemet e tyre të përditshme.

“Kemi vendosur që këtë fushatë ta ndërtojmë mbi çfarë flitet në tavolinën e bukës. Në tavolinën e bukës nuk flet njeri për tramvaj; në tavolinën e bukës nuk flet njeri për SHQUP-in; në tavolinën e bukës njerëzit diskutojnë si do ikim nga pompa dhe do shkojmë në një ujësjellës modern; si do rregullohet rruga, si do sigurohemi që fëmijët nuk do të shkojnë në një shkollë me dy turne dhe as 5 kilometra larg, sepse kjo nuk ka sens. Pra, ne kemi zgjedhur që më mirë të merremi me çështje konkrete se sa me këto aventura që nuk kanë për t’u bërë kurrë”, tha Veliaj.

Qytetari: Përveç shtëpive që i kemi ndërtuar vetë, këtu nuk është vënë dorë fare, as në rrugë, në ndriçim dhe në të tjera gjera që janë të nevojshme për një jetë normale.

Veliaj: Problemi që ne kemi hasur është se sot Tirana është 1 milion banorë dhe ka të njëjtën sasi shërbimesh që ka pasur para 20 vjetëve. Nëse Lapraka është shtuar 6 apo 6 herë, shërbimet janë po të njëjtat. Kur shikon një rrugë që është akoma si në vitet ’90, apo kur shikon se njerëzit nxjerrin akoma ujë nga pusi, unë pyes veten se me çfarë merren ata 1800 veta që punojnë në ujësjellës.

Më herët gjatë ditës, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj në një takim me banorët e Kasharit, u tha atyre se fushata e elektorale e të majtës kurrë nuk do të përgojojë familjet siç janë duke bërë kundërshtarët. Ne, tha Veliaj, do të merremi me çështje konkrete që u interesojnë familjeve tona.

Top Channel