Greqi, 40-vjeçari shqiptar aksidentohet për vdekje në punë

18/05/2015 00:00

Një aksident tragjik i ka kushtuar jetën një 40-vjeçari shqiptar në Greqi. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Kopanaqi, në afërsi të Kallamatës, në Peloponez.

Sipas policisë lokale, shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ishte duke punuar në hapjen e një tuneli kur një pjesë e tij u rrëzua dhe një masë dheu e zuri nën vete.

Duket se dëmtimet ishin vdekjeprurëse. Shokët e viktimës nxituan ta nxjerrin prej grumbullit të dheut dhe gurëve, por vetëm për të konstatuar se tashmë ai kishte ndërruar jetë.

Autoritetet thanë se kanë hapur një hetim lidhur me ngjarjen. Policia ka ndaluar përgjegjësin e punimeve deri në zbardhjen e ngjarjes. Trupi i emigrantit nga Shqipëria u dërgua në spitalin e Kallamatës, ku pritet të kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Në vazhdim, trupi i viktimës do t’i dorëzohet të afërmve të tij.

Top Channel