Veliaj: Investime për artin dhe kulturën. Institucione edhe në zonat rurale

18/05/2015 00:00

Bashkia e Tiranës, edhe pse ka pasur fonde për kulturën nuk ka mundur t’i shpenzojë ato. Kështu e ka nisur takimin me artistët e kryeqytetit, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka theksuar se arti dhe muzika janë antidoti më i mirë për të ulur dhunën dhe stresin në një shoqëri.

Veliaj tha se Cirku, por edhe Teatri i Kukullave duhet të jenë kompetencë e qeverisjes vendore dhe jo asaj qëndrore.

“Sot janë bërë institucione të qeverisë qendrore, siç është Cirku i Tiranës, Teatri i Kukullave, apo Teatri i Fëmijëve. Por këto duhet t’i kthehen bashkisë. Nuk ka në asnjë vend të botës, qoftë edhe qeveria federale në Uashington, të merret me menaxhimin e një teatroje në Chicago. Duhen ndarë gjërat: qeveria qendrore të merret me çështje realisht të përgjithshme. Besoj se edhe e gjithë eksperienca botërore e bashkive të suksesshme tregon se qytetet e mbushura me art, me muzikë, me art në rrugë apo me teatro, janë qytete që funksionojnë e menaxhohen më mirë. Ato kanë më pak dhunë, më pak trafik dhe më pak stres”, tha kandidati Erion Veliaj.

Artistët e pranishëm në këtë dëgjesë kanë vënë në dukje mungesën e ambienteve, si dhe problemet që u duhet të hasin me financimin e shfaqeve të ndryshme. Veliaj tha se çdo sipërfaqe publike do t’u kthehet qytetarëve dhe se do të punohet, që edhe në zona periferike të Tiranës, ku ka një popullsi të lartë, të ketë ambiente publike për aktivitete të ndryshme kulturore.

“Çlirimi i hapësirave publike të zëna ose të dhëna nga bashkia te privatët, largimi i bashkisë nga roli për të promovuar kafetë dhe klubet e striptizmit, dhe rikthimi i bashkisë në një avokat të hapësirës publike”, u shpreh Veliaj.

“A do të bëhet një vendparkim i madh këtu në Tiranë? Kaq e vështirë qenka kjo punë? Le të na bëhet një ftesë ne të gjithëve të kontribuojmë nga 1 mijë lekë dhe ta bëjmë këtë vendparkimi, sepse po vriten njerëzit për parkime dhe për një gërvishtje makine. Këto janë gjëra të vogla në dukje, e duken sikur s’kanë lidhje fare me artin, por kanë një lidhje jashtëzakonisht të madhe me kulturën e këtij kombi”, tha Reshat Arbana, aktor i mirënjohur.

“Ne kemi sot hapësira pafund, të cilat mund të shndërrohen në parkingje nëntokësore, me 4 apo 5 kate nëntokë, ashtu si në çdo qytet të botës. Propozimi i dytë është për makinat dhe të gjithë trafikun që vjen nga rrethet”, tha Veliaj.

Për të rritur investimet në fushën e artit kërkohet edhe përkrahja e biznesit, e cila mund të jetë shumë e ngushtë me artin, nëse Bashkia ndjek politikat e duhura.

Top Channel