Kosova “distancohet” nga Basha: Bashkia, larg konflikteve politike

18/05/2015 00:00

Sa më shumë afron dita e zgjedhjeve, aq më shumë Halim Kosova duket sikur po distancohet nga çfarë nuk ka ecur mirë gjatë këtyre 4 viteve të drejtimit të bashkisë nga Lulzim Basha.

Zoti Kosova beson se drejtimi me kohë të plotë i bashkisë, larg konfliktit politik, është prioriteti i tij.

“Ju e keni parë që të qenit kryetar partie dhe kryetar bashkie është e pamundur, sepse përveçse t’u përgjigjesh qytetarëve të Tiranës duhet të kujdesesh dhe për ata nëpër të gjitha rrethet. Rrethanat kanë qënë të tilla që kryetarët e bashkive u vunë në të tilla kushte, ndërsa unë s’do të kem asnjë impenjim tjetër përveç se t’u shërbej juve”, tha Kosova.

Gjatë një takimi me banorët e Sharrës, problem madhor ishte mungesa e ujit, një problem për të cilin çdo kryetar bashkie gjatë fushatës ka premtuar zgjidhje, por askush nuk e ka mabjtur fjalën.

“A mund ta fillojmë me një pyetje? Sa vetë kanë ardhur e ju kanë premtuar deri tani?”, pyeti kandidati demokrat qytetarët.

“Të gjithë”, u përgjigj njëri prej tyre.

“Të gjithë? Pra të gjithë që nga viti 1991, 1992”, vijoi Kosova në bashkëbisedimin e tij.

Dikush i premton votën nëse problemi i ujit zgjidhet, por Halim Kosova thotë se nuk është mësuar të shërbejë në shkëmbim të diçkaje. “Nuk e dua fare votën po të jetë kështu. Bashkinë nuk e dua për vete, por për të shërbyer”, tha mjeku i njohur.

Gjatë këtij bashkëbisedimi me banorët e Sharrës u prek edhe një çështje tjetër shumë sensitive, ajo e korrupsionit me lejet e ndërtimit, një fenomen që Halim Kosova premton t’i jepet fund më 21 qershor.

“Nëse t’i jep frymën e mospajtimit me abuzimin, gjërat do ndryshojnë shumë shpejt. Kur do të vijë ajo ditë? Unë i kam shumë qejf kur gjërat bëhen brenda afatit. Afati është shumë shpejt, është data 21 qershor”, tha Kosova.

Top Channel