BE harton misionin për shkatërrimin e anijeve të kontrabandistëve nga Libia

18/05/2015 00:00

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së Bashkimit Europian pritet të miratojnë një mision për shkatërrimin e anijeve që përdoren nga kontrabandistët nga Libia.

Gjatë një takimi në Bruksel, ministrat do të diskutojnë gjithashtu edhe për strukturën e komandimit dhe kontrollit të misionit. Kjo është pjesë e përgjigjes së BE-së, ndaj numrit të madh të emigrantëve të paligjshëm nga Afrika dhe Lindja e Mesme, të cilët kalojnë detin Mesdhe për të arritur Europën.

Më shumë se 1800 emigrantë kanë ndërruar jetë në Mesdhe në 2015. Kjo është një rritje 20-fish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke folur para mbledhjes, shefja për politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini tha se “pika kryesore sot do të jetë vendimi për të nisur një operacion, operacioni i BE-së në det për të çmontuar rrjetet kriminale që po trafikojnë njerëz në Mesdhe. Ne po shohim për një partneritet me autoritetet libiane”.

Nga ana tjetër, BE po negocion me Kombet e Bashkuara, për të patur një rezolutë nga Këshilli i Sigurimit që të japë mbështetje ligjore për operacionet ushtarake në ujërat libiane.

Top Channel