Reforma në arsim, studentët protestë para Kuvendit

18/05/2015 00:00

Lëvizja për Universitetin e ka zhvendosur protestën para Kuvendit, ku i kanë kërkuar deputetëve të mos e miratojnë reformën për arsimin e lartë.

“Denoncuam tregtarizimin, rritjen e papërballueshme të tarifave, mizerjen në konvikte, etj. Mirëpo, qeveria e klientëve nuk denjoi as të na shihte në sy e as të na fliste me gojë. Sërish, ne nuk i nënshtrohemi heshtjes qëllimkeqe të qeverisë dhe as realitetit problematik universitar, që reforma në arsim do ta shndërrojë në katastrofik”, deklaroi studenti Jonis Meta.

Prej disa javësh studentë dhe pedagogë, të cilët janë pjesë e kësaj lëvizjeje, po kundërshtojnë reformën e arsimit të lartë.

Ata kërkojnë heqjen e tarifave, rritjen e fondeve të qeverisë për arsimin e lartë, si dhe përmirësimin e kushteve në universitete e konvikte.

Projektligji i arsimit të lartë pritet të diskutohet nen për nen në komisionin e medias dhe arsimit, ku do të dëgjohen edhe grupet e interesit.

Top Channel