Rama prezanton kandidatin e Peshkopisë: Zhbllokuam Rrugën e Arbrit

18/05/2015 00:00

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga deputetë të PS-së, paraditen e së hënës ka prezantuar kandidatin e majtë për Bashkinë e Peshkopisë, Shukri Xhelili.

Në fjalën e tij, Rama ka përsëritur akuzat ndaj opozitës se, përpiqet të përdorë pozitat në pushtetin vendor për të sulmuar qeverisjen qendrore.

“Ka një dallim të madh mes bashkive ku qeverisin socialistët progresistë dhe demokratët. Aty ku qeverisin demokratët çmimin e paguan komuniteti, sepse ata nuk janë në gjendje të bëjnë gjë tjetër, veçse të merren me politikën e madhe. Ata janë të prirur të çojnë në çdo bashki të re frymën e konfliktit, sherrit dhe ndasisë”, ka deklaruar Rama.

Duke theksuar se zgjedhjet lokale janë zgjedhje për përmirësimin e cilësisë së jetesës për çdo familje shqiptare, Rama ka ftuar qytetarët të votojnë për Aleancën për Shqipërinë Europiane.

“Bashkë me ministrin e Financave, që është këtu i pranishëm, ne do të shpallim një projekt të madh për bujqësinë dhe blegtorinë, për ata që investojnë dhe krijojnë vende pune në këta sektorë”, ka premtuar Rama.

Më tej kryeministri ka përmendur edhe projektin e Rrugës së Arbrit, që sipas tij, u la në harresë nga qeveria e kaluar dhe do të bëhet realitet me atë të re që erdhi pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.

“E vetmja gjë që kanë përsëritur sa herë kanë marrë votën ka qenë ‘do bëjmë Rrugën e Arbrit’. Ku e kanë Rrugën e Arbrit? U desh 23 Qershori që ne t’i japim drejtim kësaj rruge. Dhe pas votimit në Parlament po zhvillohen negociatat përfundimtare me kompaninë, më pas do të firmoset kontrata dhe, brenda pak muajve këtu do të hapet kantieri i ndërtimit. Rruga e Arbrit është themelore për të lidhur shqiptarët”, ka shtuar Rama.

Top Channel