Llalla: Nuk kemi të dhëna për kandidatë të inkriminuar

17/05/2015 00:00

Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaron se institucioni i drejtuar prej tij nuk ka konstatuar asnjë kandidat për zgjedhjet lokale me precedentë penalë.

“Jemi në proces hetimi për disa kandidatë që garojnë në këto zgjedhje, por deri tani nuk kemi të dhëna për kandidatë me rekorde kriminale”, ka deklaruar Llalla.

Deklarata pa detaje konkrete e kreut të akuzës duket si sinjal se debati për të inkriminuarit në zgjedhje ligjërisht do të marrë fund këtu, duke konfirmuar se beteja e Prokurorisë së Përgjithshme do të jenë tani komisionerët zgjedhorë dhe sjellja e tyre në zbatim të ligjit.

Kjo ishte në thelb të marrëveshjes mes KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Më shumë sesa angazhim për verifikim të zbatimit të ligjit, akti i firmosjes mes dy institucioneve është një sinjal për komisionerët që të zbatojnë ligjin.

Kodi Penal parashikon burg deri në dy vjet në rast të shkeljes së ligjit. Por shumica e komisionerëve që u paditën në zgjedhjet e shkuara u dënuan vetëm me gjobë në vendimin përfundimtar nga gjykata, mesazh që është më i fortë se çdo marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional.

Top Channel