Qëndrimi i përbashkët i BE-së për KSA-në

18/05/2015 00:00

Sot u mblodh Këshilli i 7 i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri dhe Top Channel ka siguruar qëndrimin e përbashkët konfidencial të 28 vendeve anëtare mbi këtë takim vjetor, pjesë të të cilit pritet të publikohen si konkluzione të përbashkëta përfundimtare. 

Në të vlerësohet ecuria e deritanishme e vendit drejt përmbushjes, jo vetëm të detyrimeve të MSAsë, në fuqi prej 1 Prillit 2009, por dhe të kriterit të anëtarësimit në BE, që pasqyron, përveç gjendjes politike dhe ekonomike, edhe nivelin e përshtatjes në terren të praktikës më të mirë europiane për çdo kapitull që presin të negociojnë autoritetet e Tiranës  me Brukselin, sipas strategjisë së para-anëtarësimit.

Ndërsa vendit i mbeten edhe 5 muaj kohë deri në vlerësimin e vjeshtës nga Komisioni Europian, Këshilli i BE-së nënvizon “se Shqipëria duhet të japë gjurmë provash të forta e të qëndrueshme për reformat në 5 prioritetet kyçe, në veçanti për sundimin e ligjit”. Drafti përsërit se procesi i integrimit në BE është gjithëpërfshirës (institucione, ekspertë, shoqëri civile) dhe bazohet mbi merita e kushtëzim strikt, ndaj “zbatimi i qëndrueshëm është thelbësor”, vërejnë shtetet anëtare në qëndrimin e përbashkët, që konfirmon “vendosmërinë e plotë për integrimin e Shqipërisë”.

Vendit i kërkohet të përshpejtojë ritmin për të gjitha reformat dhe të sigurojë “zbatim të fortë dhe në kohë të udhërrëfyesit, sidomos për masat afatshkurtra të përcaktuara nga grupet e përbashkëta të punës”.  Brukseli “mirëpret krijimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, udhëhequr nga opozita dhe inkurajon masat për ta bërë atë shpejt veprues”, por që në faqe të parë të draftit, “BE shpreh keqardhjen se polarizimi mes shumicës në pushtet dhe opozitës, nga  ana e Shqipërisë, nuk  lejoi miratimin e konkluzioneve të përbashkëta në përfundim  të takimit ndërparlamentar”. Zhvillimet në kriterin politik, si zakonisht, zënë pjesën dërrmuese prej 11 faqesh, ndër 23 të tilla në dokument. “Dialogu konstruktiv politik dhe bashkëpunimi mes qeverisë e opozitës në parlament është thelbësor për reformat e integrimit europian”, përsërit BE-ja, ndërkohë që bën thirrje për zbatim pa pengesa të marrëveshjes së mirëpritur politike të Dhjetorit, që i dha fund bojkotit parlamentar të opozitës.

Dialogu politik

“BE vëren me shqetësim rritjen e tensionit të përsëritur politik në vend dhe në Kuvend, përfshirë sa i takon pretendimeve të bëra ndaj drejtuesit të parlamentit dhe hetimet që pasuan e veprimet e nisura nga prokuroria.”

“BE përsërit thirrjen se zbatimi i plotë i sundimit të fortë të ligjit nevojitet të mbetet një prioritet i lartë e parimi kyç drejtues për veprimet e institucioneve shqipëtare dhe të organeve ligjzbatuese  të përfshira në këtë rast. BE pret proces të shpejtë, tërësor, të plotë e të papenguar, përfshirë me hetime dhe veprime të duhura nga prokuroria dhe gjykatat. Të gjitha institucionet dhe organet ligjzbatuese duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të garantuar proces të duhur, sipas ligjit. Kjo çështje sjell një mundësi për njê tjetër shtysë ndaj marrëveshjes së Dhjetorit për trajtimin e çështjes sê personave me të dhëna kriminale në postet publike.”

Kjo çështje (dekriminalizimi) përsëritet dhe në mesazhin e BE-së për zgjedhjet lokale, krahas kërkesës së vazhdueshme për mirëorganizim të tyre.

Zgjedhjet

“BE nënvizon rëndësinë për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit në përputhje me standartet më të larta për zgjedhje demokratike. Organet e administrimit zgjedhor duhet të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur dhe në respekt strikt të kuadrit të zbatueshëm ligjor. BE kujton se këto zgjedhje japin një tjetër mundësi për Shqipërinë për të treguar vendosmëri në zbatimin e marrëveshjes politike të Dhjetorit për trajtimin e çështjes së personave me të dhëna kriminale në postet publike.”
      
Pavarësisht, përmirësimit të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin legjislativ dhe funksionet e Kuvendin, mbikëqyrja parlamentare duhet forcuar, sipas BE-së, duke zbatuar dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Ndarja e pushteteve, funksionimi i duhur dhe pavarësia e institucioneve demokratike, të tilla si parlamenti, gjyqësori dhe autoritetet rregullatore, janë elementë kyç për demokracitë funksionale”, nënvizon Brukseli, duke i bërë thirrje Tiranës që “të veprojë sipas konkluzioneve të 3 Shkurtit për të siguruar depolitizim dhe profesionalizim” në  këto institucione, si dhe “duhet ngritur një kuadër ligjor horizontal” për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të krerëve të institucioneve të pavarura, për procesin transparent përzgjedhës të anëtarëve të bordit, bazuar mbi merita, duke garantuar autonominë strukturore e buxhetore të tyre. Ndër 5 prioritetet kyçe, vëmendja më e madhe i kushtohet reformës në drejtësi (dy faqe) por, megjithë vlerësimet për vendosmërinë e treguar nga Tirana me krijimin e komisionit ad-hoc parlamentar për një refomë tërësore e gjithëpërfshirëse, kërkohet progres konkret dhe qëndrimi i Shteteve Anëtare të BE-së mbetet i pandryshuar për 5 cilësitë e kërkuara nga gjyqësori shqiptar.

Gjyqësori

“BE kujton se reforma e sistemit gjyqësor mbetet një sfidë kyçe për procesin integrues të Shqipërisë në BE. Pavarësia, paanshmëria, transparenca, eficenca dhe llogaridhënia e sistemit gjyqësor janë elementë qëndror në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE, dhe kyçe për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit e progresin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

“BE fton Shqipërinë për të raportuar mbi punën e komisionit ad-hoc parlamentar mbi 3 fazat e  përcaktuara: analiza e sistemit aktual gjyqësor, përcaktimi i objektivave dhe draftimi i ligjit. Si kompontentë kryesor në  këtë reformë, që mbështetet financiarisht nga BE përmes EURALIUS, renditen : ndryshimet kushtetuese, drejtësia penale, edukimi juridik, gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit në të, si dhe profesionet ligjore.”
“Për më tepër, BE thekson se veprimi urgjent dhe rezultatet konkrete janë të nevojshme dhe shtyn Shqipërinë që të marrë masa për të trajtuar një numër çështjesh të tejzgjatura, në veçanti për të plotësuar vendet bosh  të gjykatësve në Gjykatën e Lartë dhe për të miratuar draftin me amendimet, tashmë të rishikuar nga KOmisioni i Venecias, mbi reduktimin e rasteve të prapambetura në varësi të Gjykatës së Lartë dhe vendosjen e sanksioneve për avokatët që vonojnë proçedimet e gjyqësore. Garantimi i publikimeve për të gjitha vendimet gjyqësore, me arsyetimin respektiv të tyre  e në përputhje me kriteret për mbrojtjen e të dhënave,  zgjerimi në të gjitha gjykatat i sistemit të unifikuar të menaxhimit të rasteve dhe plotësimi i vendeve bosh pêr gjyqtarët dhe asistentët legal në gjykatat administrative, janë masa që duhen marrë pa vonesë , gjithashtu. BE thekson nevojën për të përmirësuar cilësinë dhe përmbajtjen e procesit draftues legjislativ, përgjatë të gjithë ciklit(legjislativ) , dhe të garantojë që prokurorët dhe gjyqtarët janë subjekt i një deklarimi tërësor e sistematik për pasurinë e tyre, çfarë është kyçe për trajtimin e pretendimeve për korrupsion në gjyqësor.”

Korrupsioni mbetet “mbizotërues në shumë fusha”, ndërsa institucionet e përfshira në luftën ndaj këtij fenomeni “mbeten vulnerabël ndaj presionit politik dhe të tjera ndikimeve të paligjshme”, sipas dokumentit, që kërkon forcim të bashkëpunimit dhe të kapaciteteve në organet ligjzbatuese, sidomos për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe konfliktit të interesave. Për financimin e partive politike, BE fton Shqipërinë të zbatojë efektivisht proceset e auditimit, siç parashikon ligji. “Përmirësimi i cilësisë së të dhënave për gjurmët e provave” në këtë prioritet kyç “është thelbësor për vlerësimin e procesit të reformës”, thuhet më tej në qëndrimin e përbashkët të vendeve anëtare. Ndërkohë që lufta ndaj krimit të organizuar, një tjetër prioritet kyç, njeh disa tendenca pozitive, të cilat “duhen përmirësuar  për të ngritur gjurmë provash solide e të besueshme për shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe për luftën ndaj çdo lloj veprimëtarie kriminale në të gjitha nivelet, përfshirë luftën ndaj terrorizmit.” Trafiku i drogës, në veçanti kultivimi dhe trafiku i cannabis, mbetet shqetësim serioz dhe pritet që  autoritetet shqipëtare të vijojnë masat për shkatërrimin e bimëve narkotike, si vitin e kaluar. Mirëpritet strategjia dhe plani i veprimit 2014-2017 për trafikun e qënieve njerëzore, që “kërkon vendosmëri më të fortë kombëtare për burimet njerëzore e financiare të nevojshme”. BE inkurajon Shqipërinë të rrisë kapacitetet për parandalimin dhe kontrollin e emigracionit të parregullt, të kryejë hetime proaktive, të zvogëlojë numrin e trafikantëve të vendeve të treta që hyjnë në BE përmes Shqipërisë, duke rritur bashkëpunimin me vendet fqinje, Shtetet Anëtare dhe Agjencitë europiane. Më tej, dokumenti tërheq vëmendjen për azilkërkuesit shqiptarë.

Azilkërkuesit

“Ka patur një rritje të konsiderueshme daljesh të parregullta dhe aplikime të pabaza për azil nga shtetas shqipëtar në shtetet anëtare të BEsë e në vendet Schengen dhe BE i bën thirrje Shqipërisë për të garantuar respektimin e plotë të kushteve të lidhura me liberalizimin e vizave. Përpjekjet për përmbushjen e kushteve të udhërrëfyesit duhen përmirësuar, përfshirë përmes fushatave informuese, kontrolle më të forta të policisë kufitare dhe hetimet për ndërmjetësuesit e emigracionit të parregullt.”

“BE inkurajon Shqipërinë të forcojë bashkëpunimin bilateral me autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare të BEsë, përfshirë EUROPOL, në mënyrë që trajtojë çdo abuzim ndaj rregullave Schengen në kontekstin e zbatimit të kushteve të liberalizimit të vizave, të hetojë dhe të zbërthejë rrjetet kriminale të përfshira në falsifikimin dhe tregëtinë e dokumenteve të udhëtimit. Kontrollet kufitare nevojitet të zbatohen në mënyrë konsistente. Për më tepër, BE kujton se pjesë e përpjekjeve parandaluese ndaj abuzimit të regjimit të vizave, si një masë në afatgjatë, autoritetet shqipëtare pritet të ngrenê nê terren politika ekonomiko-sociale efektive pêr tê trajtuar nê veçanti integrimin e grupeve më vulnerabël të shoqërisë.”
  
BE mirëpret faktin që “Task Forca për Veprim Financiar hoqi Shqipërinë nga lista e vendeve të monitoruara për pastrim parash e financim të terrorizmit”, por kjo argumentohet më së shumti me kuadrin ligjor e rregullator, ndaj në këtë fushë mbetet kërkesa për gjurmë provash të forta për rastet e krimit financiar.

“Aftësia për të zbatuar praktikën europiane varet gjerësisht nga një administratë publike efiçente dhe e depolitizuar”, këshillojnë 28 vendet anëtare në kuadër të reformës së një tjetër prioriteti kyç që kushtëzon nisjen e negociatave të anëtarësimit. Pasi vlerëson strategjinë e 15 Prillit dhe hapat drejt zbatimit të ligjit për shërbimin civil, “BE thekson nevojën për zbatimin e plotë të tij”, ndërsa “vëren sfida madhore për zbatimin e tij në nivel lokal “, si dhe paralajmëron  për “kujdes” ndaj çdolloj amendimi në këtë ligj, që “mund të dëmtojë perspektivën afatgjatë  për një shërbim civil të bazuar mbi merita, të depolitizuar dhe profesional”. Fjala “zbatim” theksohet dhe për vendimet përfundimëtare të gjykatave mbi rastet e apeluara nga të shkarkuarit, si dhe për kodin e sapomiratuar të proçedurës administrative, ndërsa këshillohet miratimi i strategjisë me plan përkatës veprimi  për decentralizimin dhe qeverisjen lokale.

Mbrojtja e të drejtave themelore njeh përmirësim të kuadrit ligjor, por kërkohen veprime konkrete për zbatimin e politikave kundër diskriminimit të grave, komunitetit LGBT, dhe të rekomandimeve respektive mbi minoritetet. 

Media

“BE mirëpret vazhdimin e mbështetjes, në përgjithësi, për lirinë e shprehjes. Gjithësesi,  fton Shqipërinë të zbatojë dispozitat ligjore mbi shpifjen, dekriminalizimin dhe të garantojë zbatimin e njëtrajtshëm të nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.  BE inkurajon  veprimet për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit për median audiovizuale dhe forcimin e kapaciteteve dhe të pavarësisë së rregullatorit audiovizual dhe të transmetuesit publik. BE kujton se rëndësinë madhore të respektimit të afatit të 17 Qershorit 2015 për kalimin  në dixhital. BE inkurajon Shqipërinë të sigurojë se liria e medias dhe pluralizmi mbështeten dukshëm dhe se të gjitha mediat kanë të njëjtin trajtim e të drejta. BE fton Shqipërinë, gjithashtu, që të rrisë transparencën e financimit të mediave.”

Vendi duhet të ndjekë rekomandimet e Avokatit të Popullit për mbipopullimin e burgjeve dhe të qëndrave të paraburgimit.  Ndërsa kujton rolin thelbësor të shoqërisë civile, BE fton Shqipërinë të miratojë një udhërrëfyes për politika më të favorshme qeveritare dhe inkurajon zbatimin e masave për të përmirësuar mekanizmin e mbështetjes sê organizatave të shoqërisë civile, si dhe të sqarojë më mirë mjedisin e tyre fiskal.  BE nënvizon nevojën për të forcuar koordinimin mes agjencive shtetërore të përfshira për të drejtën e pronës dhe për rishikim të strategjisë përkatëse e planit të veprimit, për të garantuar se janë realist dhe të qëndrueshëm në kuptim të synimeve dhe burimeve financiare.

Pronat

“BE fton Shqipërinë të bëjë progres, përsa i takon regjistrimit të parë të pronave, emërimit të koordinatorit kombëtar për të drejtat e pronës dhe për zbatimin e një plani veprues për të krijuar një mekanizëm efektiv të kthimit dhe kompensimit, në përputhje me gjykimin e fundit pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, midis prioriteteve në këtë fushë.” 
 
BE përsërit se marrëveshja bilaterale e Shqipërisë me SHBAtë për mosdorëzim të shtetasve bie ndesh me parimet udhëheqëse të Unionit, ndërkohë që vlerësohet përputhja e plotë me politikën europiane të  jashtme dhe të mbrotjes. Si zakonisht, vendi çmohet për rolin konstruktiv në rajon, por “BE thekson se deklaratat që ndikojnë negativisht mardhëniet e fqinjësisë së mirë duhen evituar”.

Top Channel