Dako: Parku industrial, zhvillim dhe mijëra vende pune

18/05/2015 00:00

Gjatë një takimi elektoral me banorë të Shënavlashit, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Vangjush Dako ka premtuar mijëra vende pune në parkun industrial dhe transformim të plotë të të gjithë infrastrukturës së zonës.

Dako ka thënë se, në saj të investimeve të fuqishme kineze që do të nisin në zonën industriale do të hapen shumë vende pune dhe do të zhvillohet ekonomikisht jo vetëm e gjithë zona që përfshihet në bashkinë e re të Durrësit, por edhe Shqipëria.

Dako ka bashkëbiseduar me qindra banorë të Shënavlashit që i kanë shprehur atij besimin se puna e tij në krye të Bashkisë së Durrësit do të sjellë ndryshime pozitive edhe në zonën e tyre.

Problemet kryesore të banorëve të kësaj zone, që aktualisht ndodhet nën administrimin e Komunës Rrashbull, janë furnizimi me ujë të pijshëm dhe infrastruktura e dëmtuar rrugore. Banorët morën mbështetjen e kryebashkiakut Dako për zgjidhjen e këtyre problemeve gjatë mandatit të ardhshëm.

Sipas Dakos, brenda 14 muajve, përmes një investimi të Ujësjellës Kanalizimeve të Durrësit do të trefishohet sasia e ujit të pijshëm që do të furnizojë qytetin, duke zgjidhur këtë problem edhe në Shënavlash.

Ndërsa investime të tjera do të kryhen për përmirësimin rrënjësor të infrastrukturës në të gjithë territorin e bashkisë së re, ka shtuar Dako.

Top Channel