Doshi kërkon lehtësimin e masës, refuzohet: Do të paraqesim prova implikuese për Brahon

18/05/2015 00:00

Gjykata e Lartë e rrëzoi kërkesën e dy avokatëve të deputetit Tom Doshi, i cili këmbënguli për t’iu hequr masa e detyrimit me paraqitje, masë e cila zbatohet prej tij çdo ditë të hënë. Prokurori, nga ana e tij, ka kërkuar që masa të respektohej për t’u paraqitur një herë në muaj dhe jo një herë në javë.

“Është një kërkesë rutinë dhe do ta përsërisim sërish”, tha avokati mbrojtës, Vladimir Meçi.

“Mendoj se vendimi i gjykatës është kontradiktor me kërkesën e prokurorit, pasi vetë prokurori tha se nuk është e nevojshme që Doshi të paraqitet në Prokurori një herë në javë, siç është vendosur më parë. Madje, vetë ai përcaktoi një afat, sipas të cilit, është e mjaftueshme që të paraqitet një herë në muaj, ndërsa gjykata sërish i qëndroi vendimit të parë”, tha avokati tjetër mbrojtës, Ferid Muçaj.

Nga ana e tij, deputeti Tom Doshi tha për mediat se ka prova që hedhin hije dyshimi në mënyrën se si u hetua çështja e tij.

“Janë munduar t’i mbulojnë të gjitha provat që kanë pasur. Por, gjatë kësaj kohe që unë kam qenë nën arrest, apo edhe më parë, ne kemi prova të mjaftueshme që vërtetojnë ngjarjen. Një nga njerëzit më të afërt të Ilir Metës, si Spartak Braho, vërtetohet plotësisht që ka shkuar në Gjermani, ka komunikuar vazhdimisht me Fatjon Skënderin edhe kur ka ardhur këtu në Shqipëri. Për këto kemi prova. Por do t’i paraqesim vetëm në gjykatë. Ndër to ka komunikime e mesazhe telefonike me numra gjermanë, që i disponon Fatjoni këtu në Shqipëri. Janë pikërisht dy ndërmjetësit, Imer Lala dhe Fatjon Skënderi”, tha Tom Doshi.

Përpara se të niste procesi, deputeti hodhi akuza ndaj organit të hetimit, duke i konsideruar prokurorët si ushtarë. Doshi foli edhe për angazhimin në fushatën për zgjedhjet vendore.

“Në qoftë se ndonjë kandidat kërkon që unë ta mbështes, dhe unë duhet ta mbështes, sepse jam deputet i Partisë Socialiste, pavarësisht se më kanë përjashtuar prej grupit, por partia nuk më ka përjashtuar. Baza është me mua”, deklaroi Doshi.

Top Channel